E Hënë, 2 Nëntor 2026

SIRI – Vdekjet nga dhuna në bastionin druz rriten në 940

DAMASK, 19 korrik /ATSH-DPA/- Rreth 940 persona, kryesisht civilë, janë vrarë në dhunën njëjavore në provincën me shumicë druze të Sirisë, Sweida, raportoi sot një monitorues lufte, mes luftimeve të ripërtërira sektare pavarësisht një njoftimi për armëpushim.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se numri i fundit përfshinte 182 persona, midis tyre 26 gra dhe gjashtë fëmijë, të ekzekutuar menjëherë nga forcat qeveritare, ndërsa tre bedouinë u ekzekutuan nga persona të armatosur druzë.

“Dhuna ka marrë jetën e 406 vendasve të tjerë, përfshirë 80 civilë”, sipas observatorit me qendër në Britani të Madhe – që mbështetet në një rrjet gazetarësh brenda Sirisë.

“Ndërkohë, 330 anëtarë të forcave qeveritare u vranë në luftime”, shtoi monitoruesi.

Sweida në Sirinë jugore është përfshirë nga luftimet midis fraksioneve druze dhe bedouinëve myslimanë sunitë mes raportimeve për mizori kundër civilëve.

Pasi, fillimisht u tërhoqën dhe u lejuan forcave lokale të menaxhonin situatën, trupat qeveritare siriane u ridislokuan sot për të ndaluar gjakderdhjen.

Presidenca siriane njoftoi gjithashtu një armëpushim gjithëpërfshirës dhe të menjëhershëm në të gjithë provincën dhe u bëri thirrje të gjitha palëve ta zbatonin atë.

Megjithatë, Observatori Sirian raportoi se kishin shpërthyer përleshje të reja midis druzëve dhe luftëtarëve fisnorë në lagjet perëndimore të kryeqytetit.

Agjencia shtetërore e lajmeve të Sirisë, SANA, raportoi gjithashtu për përleshje të vazhdueshme brenda qytetit, duke ngritur dyshime mbi armëpushimin.

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, tha sot se ndërhyrja izraelite e kishte nxitur Sirinë në një “fazë të rrezikshme”, duke vënë në rrezik stabilitetin e vendit.

Al-Sharaa premtoi mbrojtje për pakicat në vendin e njohur për diversitetin e tij etnik dhe fetar.

“Ne mohojmë të gjitha krimet dhe shkeljet që kanë ndodhur, qoftë brenda apo jashtë Sweida-s. Ne theksojmë rëndësinë e arritjes së drejtësisë dhe zbatimit të ligjit”, tha ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›