Policia monitorim me mjete inteligjente në Gjirokastër, gjobiten 3403 shoferë

TIRANË, 22 shtator /ATSH/ Policia Rrugore Gjirokastër ka kryer monitorim intensiv me dron, radar dhe makina inteligjente në të gjitha akset e qarkut, për të parandaluar ngjarjet rrugore me pasoja, si dhe për të menaxhuar trafikun.
Si rezultat i monitorimit, gjatë periudhës 1 shtator deri më 20 shtator është arrestuar 1 drejtues mjeti si dhe janë proceduar penalisht 7 të tjerë, për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, si dhe janë pezulluar 54 leje drejtimi.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, janë vendosur gjithsej 3403 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Konkretisht janë vendosur: 963 masa për parakalime të gabuara; 1249 masa për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara; 789 masa për ndalim ose qëndrim të gabuar; 36 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse; 18 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit; 4 masë për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit; 6 masa për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit; 338 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Kontrollet nga Policia Rrugore do të vijojnë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore.
/m.q/r.e/a.f/