E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia në Ferizaj nis fushatën për sigurinë në trafik gjatë dimrit, apel shoferëve për kujdes

Policia Rajonale e Ferizajt ka nisur një fushatë parandaluese për rritjen e sigurisë në trafik gjatë sezonit vjeshtë-dimër, me moton “Pak më ngadalë, shumë më sigurt!”.

Sipas njoftimit të Policisë, fushata me emrin “Rrugët e lagështa dhe me ngrica” do të zgjasë nga nëntori i vitit 2026 deri në shkurt të vitit 2027.


Qëllimi i saj është vetëdijesimi i shoferëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik për rreziqet që paraqesin reshjet e shiut, mjegulla, ngricat dhe bora gjatë muajve të ftohtë.

Në kuadër të kësaj fushate do të organizohen aktivitete informuese, këshillime, kontrolle parandaluese dhe ligjërata në shkolla e institucione arsimore.

Policia ka bërë të ditur se aktivitetet do të zhvillohen në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Han të Elezit, në bashkëpunim me ekspertin e komunikacionit rrugor, Xhemil Halili.

Me këtë rast, Policia u ka bërë apel shoferëve që të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës, të mbajnë distancën e sigurisë, të kontrollojnë gjendjen teknike të automjeteve dhe të kenë kujdes të shtuar ndaj këmbësorëve.

“Pak kujdes, pak më ngadalë – shumë më sigurt në rrugë!”, është mesazhi i kësaj fushate. /Telegrafi/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›