Policia nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit të opozitës

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Policia e Tiranës njofton se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit të paralajmëruar nga Partia Demokratike, më 28 shkurt 2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë.
Në njoftim theksohet se vendimi është marrë nisur nga incidentet e ndodhura gjatë tubimit të mëparshëm, ku u evidentuan akte dhune dhe përdorim i mjeteve të rrezikshme ndaj punonjësve të Policisë, pjesëmarrja e personave të maskuar dhe përfshirja e të miturve, si dhe nga informacionet mbi mundësinë e përsëritjes së veprimeve të tilla.
Pavarësisht kësaj, Policia e Tiranës ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në qytet, për mbrojtjen e institucioneve shtetërore dhe për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve, në rast se tubimi do të zhvillohet.
Policia apelon qytetarët që të distancohen nga çdo veprim i dhunshëm dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri që konstatojnë.
/a.f/