E Diel, 1 Nëntor 2026

IZRAEL – Netanyahu: Regjimi iranian nuk duhet të pajiset me armë bërthamore

TEL AVIV, 28 shkurt /ATSH/- Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi sot se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur një operacion për të eleminuar kërcënimin ekzistencial nga regjimi terrorist në Iran, sipas BBC.

“Regjimi vrasës terrorist në Iran nuk duhet të pajiset me armë bërthamore që mund të kërcënojnë gjithë njerëzimin,” tha Netanyahu, duke falënderuar presidentin amerikan, Donald Trump për udhëheqjen e tij historike.

Ai shtoi se regjimi iranian kishte shpallur ‘Vdekje Izraelit’ dhe ‘Vdekje Amerikës’, ka vrarë shumë izraelitë dhe amerikanë, dhe ka masakruar popullin e vet.

Netanyahu u bëri thirrje të gjithë iranianëve – persëve, kurdëve, azerëve, baluçëve dhe ahvazëve – të çlirohen nga tirania dhe të krijojnë një Iran të lirë dhe paqësor.

Kryeministri izraelit gjithashtu u kërkoi qytetarëve izraelitë të ndjekin udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm dhe paralajmëroi se në ditët e ardhshme, gjatë Operacionit ‘Ulërima e Luanit’, do të nevojitet durim dhe guxim.

“Së bashku do të qëndrojmë, së bashku do të luftojmë dhe së bashku do të sigurojmë përjetësinë e Izraelit”, tha ai.  //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›