“Porta e Alpeve”, 100 milionë euro investime në qarkun e Shkodrës, Karakaçi: Lidhim Alpet me bregdetin

“Porta e Alpeve” është projekti më i ri i Qeverisë Shqiptare i dedikuar tërësisht për qarkun e Shkodrës. 100 milionë euro investime në infrastrukturë janë parashikuar të realizohen përmes këtij projekti në të gjithë qarkun, duke i dhënë një hov të rëndësishëm zhvillimit të turizmit, duke nisur nga Alpet dhe deri në bregdetin e Velipojës.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave njoftoi disa prej pikave që përfshin ky projekt dhe që do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të zonës.
“Programi dhe marrëveshja ka disa komponentë, ku komponenti i parë ka të bëjë me rehabilitimin e shesheve urbane, rikonstruksionin e bulevardeve dhe qendrave multifunksionale, duke i dhënë hapësira më të mira qytetarëve të gjithë qarkut. Një tjetër element ka të bëjë me investime infrastrukturore në akset që lidhin bregdetin e Velipojës, liqenin e Shkodrës, lumin e Bunës dhe pjesën e Malësisë së Madhe dhe pjesën e alpeve. Komponenti tjetër shumë i rëndësishëm ka të bëjë me investime në rrjet kanalizimesh dhe ujësjellësi, si dhe pjesët që lidhen me transportin urban, por edhe gjithë ato elementët turistike për menaxhimin e ndotjes urbane”, bëri të ditur Karakaçi.
Sipas tij këto investime do të garantojnë një turizëm gjithë vjetor në qarkun e Shkodrës, i cili ofron resurse të shumta për çdo vizitor në çdo stinë të vitit.
“Me anë të kësaj marrëveshje krijojmë për herë të parë një korridor të integruar midis alpeve dhe bregdetit Adriatik, duke krijuar kështu në këtë mënyrë një mundësi për të patur një sezonalitet të plotë turistik nga dimri në verë dhe duke qëndruar më afër qytetarëve dhe për të përmirësuar në zhvillimin ekonomik të gjithë qarkut Shkodër”, theksoi Karakaçi.
Projekti “Porta e Alpeve” parashikon një marrëveshje financimi me Bankën Europiane të Investimeve në vlerën 50 milionë euro si dhe 50 milionë euro do të akordohen nga Qeveria Shqiptare.