E Diel, 1 Nëntor 2026

Porti i Durrësit- Bie aksidentalisht në kontakt me rrymën elektrike, humb jetën marinari 24 vjeçar nga Azerbajxhani

Një aksident i rëndë në punë ka ndodhur pasditen e së dielës në zonën portuale të Durrësit, ku një marinar i ri ka humbur jetën. Viktima është shtetasi nga Azerbajxhani, J.A., 24 vjeç.

Sipas informacioneve paraprake nga Policia e Durrësit, incidenti është regjistruar rreth orës 17:50. I riu ishte pjesë e ekuipazhit të një anijeje tregtare që lundronte me flamur të Panamasë.

Sipas policisë, 24-vjeçari ishte duke kryer disa punime mirëmbajtjeje në bordin e anijes, kur dyshohet se ka rënë aksidentalisht në kontakt me energjinë elektrike dhe goditja ka qenë fatale.

Marinari është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Durrësit. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve, konfirmohet se i riu ka mbërritur pa shenja jete në duart e mjekëve, duke ndërruar jetë gjatë transportit.

“Rreth orës 17:50, është transportuar për në urgjencën e Spitalit Durrës, por ka ndërruar jetë rrugës, shtetasi nga Azerbajxhani, J. A., 24 vjeç, marinar në një anije me flamur të shtetit të Panamasë.”, njoftoi policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›