E Martë, 3 Nëntor 2026

Potencialet e Shqipërisë – Agroturizmi, një pikë e fortë, sytë edhe nga ekoturizmi

Shifra prej 14 milionë vizitorësh që pritet të arrijë këtë vit tregon se Shqipëria nuk është më vendi i turizmit sezonal, po i 365 ditëve.

Agroturizmi është një nga pikat kyçe, për të cilën eksperti dhe profesori i Universitetit Bujqësor, Shpresim Domi tregon për RTSH-në shifrat e dy viteve të fundit.

“Pas një viti jashtëzakonisht të suksesshëm në sensin e flukseve turistike ku e mbyllëm vitin 2023 duke pritur rreth 10.1 milionë vizitorë dhe shenjat janë për ta arritur 14 milionëshin sepse vetëm në muajin Mars patëm 90% më shumë vizitorë krahasuar me Marsin e një viti më parë.

Në dy-tri vitet e fundit, agroturizmi ka pritur rreth 1 deri 1.2 milionë vizitorë. Nga ana tjetër edhe strukturat akomoduese dhe njësitë agroturistike vetëm dy vitet e fundit janë dyfishuar dhe kjo ka reflektuar nevojën për ofertën. Gjykoj që kjo rritje e pritshme shumë e madhe e vizitorëve këtë vit do të arrihet të përballohet dhe nga ana e agroturizmeve në zonat rurale sepse edhe ky është një sektor shumë dinamik dhe që është pjesë e prioriteteve të qeverisë që fillon që tek lehtësia për të marrë lejen për të ndërtuar pikën akomoduese dhe për t’ju përgjigjur këtij fluksi të turistëvë”, tha Domi.

Një pikë tjetër e fortë e Shqipërisë po bëhet ekoturizmi. Madje e famshmja britanike The Gurdian, e cilëson si një potencial të jashtëzakonshëm të vendit tonë.

“Në Shqipëri këto kohët e fundit, nga ligji për investimet strategjike dhe një farë klime të krijuar, shumica e investitorëve janë përqëndruar tek turizmi, si shqiptarët por edhe të huajt si përshembull investimet e pritshme në ishullin e Sazanit, Portin e Durrësit është një gjë me vlerë sepse i jep mundësinë që edhe ky turist i elitës të vij të pushojë në Shqipëri. Jemi ende në fazat fillestare të kësaj oferte turistike dhe kemi ende shumë punë për të bërë. Shqipëria e ka potencialin e jashtëzakonshëm për të afruar këtë kategori turizmi ekoturizmin e nivelit të lartë por edhe ekoturizmin e nivelit masiv”, tha Domi.

Profesor Domi mendon se hapi i parë dhe kryesor për të avancuar në ekoturizëm është gjithëpërfshirja dhe ligjet që lehtësojnë zhvillimin e tij.

Gazetare: Jonela Sagajeva

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›