Prag Krishtlindjesh – Dom Mark Pashkja uron shqiptarët dhe iu bën thirrje: Duajeni më shumë vendin tuaj!

Në vigjilje të Krishtlindjes, Dom Mark Pashkja, zëdhënës i Kishës Katolike, në një intervistë për emisionin “Triolog”, ka theksuar rëndësinë e bashkësisë dhe dashurisë.
“Pas përfundimit të meshës do të jetë edhe përshëndetja, sepse kisha ekziston në të qenit bashkësi, ku arqipeshki së bashku me njerëzit e tjerë shkëmbejnë urimet e kësaj nate të madhe. Gëzimi ynë që jemi në shërbim buron prej faktit se jemi duke bërë pikërisht atë gjë për të cilën Krishti erdhi dhe këtu spikat gëzimi ynë. Gjatë veprimtarisë sonë të kësaj nate dhe të gjithë këtyre ditëve, ne i qëndrojmë thirrjes sonë ekzistenciale, sepse thirrja jonë nuk mund të kuptohet pa shërbim”, tha ai.
Ai uroi të gjithë shqiptarët, pa dallim, për më shumë dashuri dhe shëndet, duke vënë theksin te nevoja për solidaritet dhe ndjenjë atdhedashurie.
Dom Mark Pashkja bëri thirrje qytetarëve shqiptarë “ta zgjedhin Shqipërinë si vendin ku të realizojnë ëndrrat”.
“Dëshiroj t’u uroj të gjithë shqiptarëve, të gjithë pa dallim, sa më shumë dashuri dhe shëndet. Besoj se si shqiptarë e kemi shumë të nevojshme dashurinë, dashurinë në mënyrë të veçantë për vendin tonë, për Shqipërinë. Uroj, lutem dhe shpresoj shumë që shqiptarët ta duan më shumë vendin e tyre, ta zgjedhin Shqipërinë si vendin e realizimit të ëndrrave të tyre dhe një dashuri të pastër, të duhur dhe të drejtpërdrejtë. Besoj fuqishëm që dashuria për Zotin nënkupton dashurinë për vendin në të cilin jetojmë. Qoftë kjo Krishtlindje dhe ky Vit i Ri që po na pret, një vit ku çdo shqiptari t’i shtohet dashuria për veten, vendin në mënyrë të veçantë dhe për të mirën që duhet të mbizotërojë në vendin tonë”, uroi Dom Mark Pashkja.
/rtsh.al/