E Diel, 1 Nëntor 2026

Praktikat e punës, i riu kthehet nga ShBA dhe punësohet pranë AKU-së

TIRANË, 28 mars /ATSH/ Të rinjtë që kanë përfunduar studimet në ciklin e parë “Bachelor” kanë mundësi që të angazhohen në praktikë pune në institucionet publike me kontrata 1-vjeçare.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla solli sot shembullin e të riut Ergi Veliu, që pas përfundimit të studimeve në ShBA ka zgjedhur të kthehet në Shqipëri për të kontribuar në vendin e tij.

Salla tha se pas praktikës 3-mujore në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), sot Ergi është i punësuar me një kontratë 1-vjeçare si specialist në sigurinë ushqimore, një tjetër shembull i të rinjve që sjellin vlerë në vend.

I riu shprehet se pasi ka mbaruar studimet bachelor në fushën e nutricioneve dietike në ShBA vendosi të kthehet në Shqipëri.

“Pranova të vazhdoja praktikën 3-mujore pranë AKU-së, ku u njoha nga afër me funksionimin e institucionit në fushën e sigurisë ushqimore. Pas përfundimt të praktikës m’u dha mundësia për të vazhduar me kontratë 1-vjeçare, përvojë që do të ndikojë ndjeshëm në rritjen time profesionale”, tha ai.

Qëllimi i Programit Kombëtar të Praktikave të Punës është përfitimi i një përvoje kualifikuese, që ndikon në zhvillimin e kompetencave profesionale, akademike dhe personale. Programi mundëson njohjen me institucionet e administratës shtetërore dhe institucione të tjera publike apo private.

Institucionet bëjnë përzgjedhjen e praktikantëve që do të punësohen me kontratë 1- vjeçare, duke u bazuar te performanca e vlerësimit të praktikantëve si dhe nevojave të secilit institucion.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›