Rama: Pagat në sektorin publik dhe privat po rriten gradualisht

TIRANË, 28 mars/ATSH/Kryeministri, njëherësh kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se pagat po rriten edhe në sektorin privat.
Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste të Njësisë 2, Tiranë, Rama foli për rritjen e pagave në sektorin privat, duke e cilësuar si një tregues pozitiv të zhvillimit ekonomik.
“Ne sot jemi në një situatë që shikojmë me kënaqësi që pagat në sektorin privat vazhdojnë të rriten. Ndërkohë, pagat në sektorin publik janë rritur në mënyrë të vazhdueshme dhe përsëri kemi bërë rritje”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se një ndër elementët kryesorë të politikës së rritjes së pagave është njohja e vjetërsisë, pra vlerësimi i eksperiencës.
“Dhe kemi hyrë në një fazë që, siç bëmë me mjekët, me ushtarakët, me mësuesit, po njohim paralelisht vjetërsinë në punë. Nuk është e njëjta pagë në fund të ditës, pavarësisht se në regjistrin e të punësuarve në spital janë dy specialistë të të njëjtit specialitet, por jo vetëm për ekspertizën e tyre, por për faktin që ka punuar më gjatë, ka një koeficient”, theksoi ai.
Kryeministri vuri në dukje se politika e rritjes së pagave nuk mund të zbatohej më herët nga qeveria për shkak të mungesës së buxhetit të nevojshëm.
“Nuk i bënim më parë sepse s’kishim kapacitet buxhetor”, tha ai.
/r.e/