E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 19-vjeçarit në Shkodër, sekuestrohen mbi 160 mijë euro dhe municion luftarak

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Livadhet 3”, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkodrës.

Gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë një shtetas 19-vjeçar, banues në Shkodër.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Komisariatin e Policisë Shkodër, me mbështetjen e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit të arrestuar, në kuadër edhe të dy operacioneve të mëparshme të koduara “Livadhet 1” dhe “Livadhet 2”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 164 300 euro, të dyshuara të falsifikuara; municion luftarak; 8 aparate celularë; një sasi lënde djegëse; 1 automjet, i dyshuar i vjedhur në qytetin e Fushë-Krujës në vitin 2019; 2 targa automjeti, të dyshuara të vjedhura në Tiranë në vitin 2025.

Shtetasi i arrestuar dyshohet për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Policia bën me dije se vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

1 nga 2

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›