E Diel, 1 Nëntor 2026

Prefekti Hajdari takon kryebashkiakun e Kavajës, Qosja: Ndërtojmë ura bashkëpunimi

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Prefekti i Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari zhvilloi sot një vizitë pune në Kavajë, ku u prit nga kryetari i bashkisë, Fisnik Qosja. Takimi u fokusua në rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimin për çështje me interes për qytetarët.

Gjatë bashkëbisedimit me drejtuesit vendorë dhe stafin drejtues të bashkisë, u diskutuan prioritetet e zhvillimit lokal, sfidat aktuale dhe projektet në proces apo në planifikim për përmirësimin e shërbimeve publike dhe infrastrukturës.

Prefekti Hajdari vlerësoi gatishmërinë për bashkëpunim nga ana e drejtuesve të bashkisë, duke theksuar rëndësinë e komunikimit të vazhdueshëm institucional për adresimin me efikasitet të problematikave të komunitetit.

“Sot realizova vizitën time të parë në Kavajë, një takim i rëndësishëm dhe mjaft frymëzues për mua. Falënderoj Fisnik Qosen, Kryetarin e Bashkisë Kavajë, për mikpritjen e ngrohtë dhe për gatishmërinë për bashkëpunim. Gjatë kësaj vizite patëm mundësinë të prezantohemi dhe të zhvillojmë një takim konstruktiv me drejtorët e bashkisë, ku diskutuam mbi prioritetet, sfidat dhe projektet që synojnë zhvillimin e mëtejshëm të qytetit. Kjo ishte një mundësi shumë e mirë për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të forcuar komunikimin institucional në shërbim të qytetarëve. Me besim të plotë se përmes dialogut dhe angazhimit të përbashkët do të arrijmë rezultate konkrete për komunitetin”, shkroi Hajdari, në rrjetet sociale.

Vizita në Kavajë shënon një nga ndalesat e para të agjendës së Prefektit në njësitë vendore të qarkut, me synim forcimin e koordinimit mes institucioneve qendrore dhe pushtetit vendor në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›