Prefekti i Korçës aktivizon strukturat për marrjen e masave kundër murtajës

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, zhvilloi sot një takim pune për masat që duhen marrë në kuadër të konstatimit të vatrës së konfirmuar me sëmundjen e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël.
Jole zhvilloi një takim online me zëvendësministrin e Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari dhe sekretarin e përgjithshëm Dritan Palnikaj si dhe kolegë homologë e drejtues të bashkive të vendit, lidhur me situatën e konstatuar prej fillimit të muajit qershor në territorin e Shqipërisë për raste të konfirmuara të murtajës.
Murtaja e Ruminantëve të Vegjël është një sëmundje shumë ngjitëse e dhenve dhe dhive, e cila shoqërohet me një shkallë të lartë humbje dhe pasoja të konsiderueshme ekonomike për sektorin blegtoral.
Prefekti i Qarkut Korçë konfirmoi rastin e një ferme në Devoll e cila është izoluar dhe prej së cilës do të asgjesohen 175 krerë.
“Për këtë nga strukturat përkatëse të qarkut tonë dhe Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore, në takimin që organizova sot, kërkova bashkëpunim të ngushtë me shërbimin veterinar rajonal, aktivizimin dhe angazhimin e strukturave të njësive administrative dhe kryepleqve për shpërndarjen e informacionit dhe monitorimin e territorit të qarkut tonë, ndërmarrjen e masave të biosigurisë në fermat që mbajnë ruminantë të vegjël, koordinim të ngushtë me strukturat e rendit publik për kontrollin e lëvizjes së kafshëve dhe rolin aktiv që duhet të kenë policitë bashkiake për kontrolle rigoroze në tregje, përcaktimin e vëndgroposjeve për kafshët e ngordhura sipas kritereve ligjore dhe teknike, dhe përgatitjen e strukturave bashkiake për të ofruar mbështetje logjistike dhe operacionale në rast konfirmimi të rasteve të reja”, deklaroi Jole.
Prefekti shtoi se nuk ka vend për panik, por vigjilenca e autoriteteve dhe sensibilizimi i duhur i fermerëve dhe opinionit publik është i rëndësishëm, për të garantuar mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe shëndetit publik në territorin e Qarkut Korçë. /e.r/ /a.g/
1 nga 13