E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron Prof. Xhanfranko Kostën me “Medaljen e Mirënjohjes”.

7 maj 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi sot me “Medaljen e Mirënjohjes” Presidentin e Qendrës Ndërkombëtare për Paqen mes Popujve, Prof. Xhanfranko Kostën, gjatë një ceremonie zyrtare të zhvilluar me këtë rast në Presidencë.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, Aleksandër Flloko, Kryetari i Shtetit i dorëzoi z. Kosta “Medaljen e Mirënjohjes” dhe dekretin përkatës. Me anë të kësaj dekorate, Presidenti i Republikës shprehu vlerësimin e tij për veprimtarinë e gjerë dhe të dobishme të Prof. Xhanfranko Kostës në favor të paqes, të të drejtave të njeriut, veçanërisht, të fëmijëve në mbarë botën.

Në fjalën përshëndetëse, Presidenti i Qendrës Ndërkombëtare për Paqen mes Popujve, Prof. Kosta, falenderoi Presidenti Topi për këtë nderim të lartë të punës dhe përkushtimit jo vetëm të tij, por të të gjithë atyre, që për tridhjetë vjet kanë bashkuar kontributet e tyre, në shërbim të një misioni kaq të madh për mbarë njerëzimin, siç është mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në mbarë botën. Prof. Kosta theksoi se ka provuar të njëjtat emocione edhe para Presidentit amerikan Regan, Kancelarit gjerman Kol dhe Presidentit rus Gorbaçov dhe e cilësoi vlerësimin e bërë nga ana e Presidentit të Republikës për Qendrën e Paqes, si një mbështetje dhe një motivim të fortë për vazhdimësinë e punës me përgjegjshmëri në ndihmë të të vegjëlve, të përvuajturve dhe të pambrojturve, të gjithë njerëzve në nevojë. Prof. Kosta vuri në pah ndjenjat dhe emocionet e veçanta teksa dekorohej nga përfaqësuesi më i lartë i shtetit shqiptar, duke premtuar se: “këtë vlerësim, këtë medalje do ta mbajë si njërën prej gjërave më të bukura e më të vyera që kam merituar dhe kam patur nderin të kem në jetë, së bashku me medaljen e marrë nga UNICEF-i dhe medaljen e dhënë nga Nënë Tereza në 1995”. “Zoti President, për të qenë i denjë për këtë vlerësim, duhet ta dini që do t’ju jemi gjithnjë pranë, së bashku me të gjithë miqtë që kemi këtu në Tiranë dhe dëshirojmë t’ju shprehim se ne shikojmë tek ju një udhëheqës të një populli, që do të lerë gjurmë të jashtëzakonshme në historinë e këtij mijëvjeçari”, – theksoi Prof. Kosta.

Në emër të Qendrës Ndërkombëtare për Paqen mes Popujve dhe në shenjë mirënjohjeje, Prof. Kosta i dhuroi Presidentit Topi Flamurin e Kalorësve të Mijëvjeçarit, të cilin Kreu i shtetit shqiptar do ta përcjellë më pas në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Në ceremoni ishin të pranishëm dhe Ambasadori i Italisë, Saba D’Elia, drejtues të Unionit Rruga e Paqes Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, Drejtori i Kabinetit të Presidentit të Republikës, Dashamir Xhaxhiu dhe anëtarë të tjerë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.

Prof Kosta ka themeluar Qendrën Ndërkombëtare për Paqe ndërmjet Popujve në fund të viteve 1970 duke koordinuar mbi një mijë misione për paqen ngado nëpër botë. Projekti më i ri është Rruga e Paqes në Shqipëri, një rrugë që do nisë nga sheshi Nënë Tereza drejt kodrave të liqenit artificial si një symbol i kontributit të qytetarëve për paqen e që do finalizohet më 5 shtator 2008 në përvjetorin 11-të të ndarjes nga jeta të simbolit të paqes, Nënës Terezë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›