E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi priti juristë dhe gjyqtarë të shquar amerikanë me rastin e Ditës së Drejtësisë.

10 maj 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Pallatin e Brigadave dhe zhvilloi një takim në kuadër të Ditës së Drejtësisë me juristë të shquar amerikanë: me gjykatësit Uoker, Magnuson dhe Atër, të cilët shoqëroheshin nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uithers.

Presidenti Topi pasi u uroi miqve mirëseardhjen duke i falenderuar për praninë në ceremoninë me rastin e Ditës së Drejtësisë dhe për ndihmesën dhe kontributin e tyre të vazhdueshën në reformimin dhe përmirësimin e drejtësisë shqiptare, përshkroi reformat e ndërmarra në vend si ajo në gjyqësor, ndryshimet në Kushtetutë dhe reformën zgjedhore, të cilat janë miratuar me një konsensus të gjerë politik.

Presidenti Topi vlerësoi sukseset e arritura në drejtim të procesit transparent dhe krejtësisht publik të reformimit të sistemit gjyqësor në Shqipëri duke bërë të mundur pavarësinë e tij, rritjen e profesionalizmit, etikës dhe efektshmërisë së juristëve, gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të këtij sistemi, duke vënë në pah edhe nevojën për më tepër kurajo në mënyrë që të gjitha gjykatat e vendit tonë dhe drejtësia të ecë përpara në përmbushje të kërkesave të qytetarëve për drejtësi dhe arritjes së standardeve të vendeve më të përparuara demokratike.

Pol Magnuson, gjyqtar federal i shtetit amerikan të Minesotës, Xhon Uoker, kryetar i Gjykatës së Apelit në Nju Jork dhe Robert Atër, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë të shtetit të Uashingtonit vlerësuan lart rolin dhe kontributin e Presidentit Topi dhe punën e mirë të bërë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë gjatë procesit të reformimit gjyqësor në vendin tonë dhe përparimet e sukseset e shënuara jo vetëm në dhënien e drejtësisë, por edhe në rritjen e besimit të publikut në sistemin gjyqësor shqiptar duke theksuar që njerëzit e drejtësisë kanë gjithmonë nevojë për më tepër inkurajim dhe mbështetje në vendosjen përfundimtare të shtetit ligjor dhe sigurimin e pavarësisë së plotë të tij.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›