E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takon Presidentin e Hungarisë, Laszlo Solyom.

2 maj 2008

Ohër,
Maqedoni

Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi një takim me Presidentin e Republikës së Hungarisë, Laszlo Solyom.

Gjatë bisedës dy Presidentët e vlerësuan takimin si një tregues të marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Hungarisë, me zanafillë në lidhjet tradicionale historike mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Presidenti Topi e njohu homologun e tij hungarez me disa prej arritjeve kryesore të vendit tonë në drejtim të përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga nënshkrimi i MSA-së për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Në mënyrë të veçantë, Kreu i shtetit u ndal në reformat për konsolidimin e shtetit ligjor në Shqipëri, për përmirësimin e sistemit zgjedhor, në nismat e ndërmarra për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit etj. Duke vlerësuar përvojën hungareze në integrimin europian dhe atë euroatlantik, Presidenti Topi vuri në dukje rëndësinë e intensifikimit të kontakteve në të gjitha nivelet, si dhe të thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha me interes reciprok. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës shprehu interesin e shtetit shqiptar për nxitjen e projekteve hungareze dhe të investimeve direkte në sektorët e naftës, energjetikës, transportit, infrastrukturës, financave, turizmit, arsimit etj.

Nga ana e tij, Presidenti i Hungarisë, Solyom vlerësoi mbjajtjen e Samtit të Ohrit si një kontribut i rëndëishëm në ruajtjen e kontakteve politike të niveleve të larta, të cilat janë mjaft të rëndësishme në zhvillimin e marrëdhënieve mes shteteve. Z. Solyom i shprehu Presidentit Topi urimet me rastin e marrjes nga Shqipëria të ftesës për anëtarësimin në NATO, duke nënvizuar se ky është një hap shumë i rëndësishëm në raportet e Shqipërisë me Aleancën e Atlantikut. Duke shprehur mbështetjen e shtetit hungarez për procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian, Presidenti Solyom vuri në dukje se në këtë drejtim në çdo moment është i nevojshëm rikonfirmimi i procesit të reformave në gjyqësor, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar etj.

Lidhur me zhvillimet në rajonin e Ballkanit, Presidentët ndanë të njëtin mendim se bashkёpunimi rajonal dhe filozofia e integrimit rajonal është rruga e duhur për zhvillimin e sigurtë dhe të qëndrueshëm të rajonit, ndërsa vlerësuan se njohja e pavarësisë së Kosovës është një kontribut shumë i rëndësishëm në këtë drejtim.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›