Presionet për çështjet nën hetim, Braho: Zgjidhja është një dhe e vetme, zbatimi i ligjit

Gjatë prezantimit të platformës në KLP, kandidati për kreun e ri të SPAK Klodian Braho u pyet në lidhje me presionet dhe se si i ka menaxhuar.
Gjatë fjalës së tij ai tha se presione ka pasur në forma direkte apo indirekte, por zgjidhja e vetme për raste të tilla është vetëm zbatimi i ligjit.
“Edhe kem ndjerë presione direkt indirekt. Por jo vetëm tani sepse tani jemi në SPAK kemi mbrojtje, por edhe kur nuk i kemi pasur këto, ka një rregull cdo çështje e vështirë, ka një zgjidhje të thjeshtë, do të zbatosh ligjin sepse ajo është zgjidhje që nuk të lë të gabosh. Kjo ka qenë zgjidhja ime”, tha ai.
Braho foli edhe për sfidat që do të ketë, nëse do të zgjidhet si drejtues i SPAK.
“Sfida është që institucioni i SPAK të maturohet e të kalojë në pikën e pakthyeshme. Të jetë institucioni që të nxjerrë standard, jo kush vjen kryetar. Të ruhet pavarësia e institucionit dhe e prokurorëve dhe të arrihen standardet më të mira”./vizionplus.tv