E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezantohet për herë të parë Manuali Doganor për Pasagjerët


TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj dhe drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli prezantuan sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, Manualin Doganor për Pasagjerët, një botim i ri dhe thelbësor i Administratës Doganore Shqiptare.

Ky manual, i publikuar për herë të parë, përmbledh në një dokument të vetëm rregullat kryesore për hyrjen dhe daljen e pasagjerëve nga territori shqiptar, duke ofruar udhëzime të qarta mbi mallrat e lejuara dhe të ndaluara, deklarimin e valutës, barnat, kafshët shtëpiake, mbrojtjen e pasurive kulturore dhe procedurat për mjetet e transportit.

Gjatë inspektimit, Ministri i Financave nënvizoi rëndësinë e këtij botimi për lehtësimin e udhëtimit dhe shmangien e penaliteteve.

“Shumë qytetarë hasin vështirësi për të kuptuar procedurat doganore. Ky manual u ofron atyre një udhërrëfyes të qartë, që thjeshton udhëtimin dhe garanton një proces më të qetë e më transparent”, deklaroi Malaj.

Drejtori i Doganave u ndal në rolin e këtij publikimi sa i takon lehtësimit për qytetarët.

“Manuali përmbledh gjithë informacionin që pasagjerët duhet të dinë dhe është i aksesueshëm me një klikim si në faqen e Doganës, ashtu edhe përmes QR code në pikat kufitare. Kjo rrit transparencën dhe unifikon komunikimin me publikun”, u shpreh Gazheli.

Manuali Doganor për Pasagjerët është tashmë i publikuar online dhe i disponueshëm për të gjithë udhëtarët në adresën: https://dogana.gov.al/manuali_pasagjeret.pdf

Ky botim i ri përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve doganore dhe garantimit të një përvoje më efikase për qytetarët, në përputhje me standardet evropiane.

1 nga 2

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›