E Martë, 3 Nëntor 2026

Prezenca e OSBE-së forcon kapacitetet e prokurorëve për hetimin e krimeve zgjedhore

TIRANË, 17 prill/ATSH/ Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme, Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe projektin “EU4Justice” organizoi një tryezë teknike të përqendruar në forcimin e hetimit dhe të ndjekjes penale të krimeve zgjedhore.

Tryeza teknike mblodhi prokurorë nga SPAK-u dhe nga Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm për të diskutuar praktikat më të mira dhe për të forcuar bashkëpunimin institucional në trajtimin e shkeljeve zgjedhore.

Në veprimtari morën pjesë edhe dy ekspertë ndërkombëtarë nga Italia, të specializuar në fushën e krimeve zgjedhore.

Pjesëmarrësit shqyrtuan protokollet hetimore që lidhen me korrupsionin zgjedhor dhe marrëveshjet e paligjshme mes organizatave kriminale dhe aktorëve politikë. Diskutimet u përqendruan edhe në përdorimin e provave në procedurat gjyqësore, përfshirë dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, dëshmitarëve të kualifikuar dhe përgjimeve elektronike.

Në fjalën e tyre, përfaqësuesit e Prezencës së OSBE-së, Mauro Puzzo dhe Blerim Vela, theksuan rëndësinë e forcimit të reagimit nga ana e prokurorëve dhe garantimin e llogaridhënies për krimet zgjedhore, si bazë për besimin e publikut në proceset demokratike.

Ata vunë në dukje nevojën për një reagim të shpejtë dhe transparent ndaj praktikave të përsëritura zgjedhore të dënueshme si shitblerja e votës, presioni mbi zgjedhësit dhe keqpërdorimi i burimeve administrative, të cilat vijojnë të reflektohen me shqetësim në raportet e vëzhgimit të zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR-i.

Kjo tryezë teknike është pjesë e përpjekjeve më të gjera të Prezencës së OSBE-së për të ndihmuar institucionet shqiptare në përmirësimin e cilësisë së hetimeve dhe ndjekjeve penale, veçanërisht në fusha të ndërlikuara dhe me ndikim të lartë, siç janë krimet zgjedhore.

Së fundmi, Prezenca mbështeti ndërtimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit, dhuroi pajisje kompjuterike për SPAK-un në ndihmë të grupeve hetimore në terren dhe organizoi një tryezë ku organizatat e shoqërisë civile ndanë gjetjet dhe rekomandimet e tyre për trajtimin e krimeve zgjedhore me institucionet shtetërore përkatëse.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›