E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti pakt me Rudana për 4 miliardë euro investime



nertila maho

Grupit të investitorëve të rëndësishëm në vendin tonë i është shtuar një tjetër kompani, e cila parashikon të investojë plot 4 miliardë euro në sektorë të ndryshëm në vend. Detajet i dha dje Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit me kompaninë Rudana Investment Group. Gjigandi zviceran, kryesisht përfaqësues i një konsorciumi investitorësh të vendeve të Gjirit Persik, por edhe investitorësh evropianë, synon të investojë gjerësisht në energjetikë. "Memorandumi i firmosur në një nga pikat e tij ka të bëjë me ndërtimin e 1000 MW kapacitet të ri të prodhimit të energjisë elektrike nga uji. Po të kemi parasysh, që fuqia prodhuese e Shqipërisë sot është rreth 1500 MW, ky është një kontribut i jashtëzakonshëm në sistemin tonë energjetik, me investitorë të gatshëm për të ndërhyrë menjëherë në këtë sistem", tha ministri. Nga ana tjetër, energjetika nuk do të jetë sektori i vetëm ku do të përqendrohen investimet e grupit Rudana. Në Memorandum parashikohet edhe investimi në ndërtimin e një rafinerie të re në Porto Romano, ndërtimi i një qendre të observimit të hapësirës dhe të tokës në Shqipëri, ndërtimi i një qyteze të re, me një teknologji moderne dhe duke respektuar ambientin, vendi i ndërtimit të së cilës do të përcaktohet nga Qeveria shqiptare në të ardhmen apo edhe mundësia e privatizimit të kompanisë Albpetrol, për të cilën kompania ka shfaqur interes. Ministri Prifti garantoi se Qeveria do të japë mbështetjen maksimale për investitorët dhe do t'i mbështesë ata në çdo hap. "Më vjen mirë që investitorë seriozë dhe të suksesshëm zgjedhin Shqipërinë për investimet e tyre. Sigurisht, dhe duke marrë garancinë e Qeverisë shqiptare, për mbrojtjen dhe mbështetjen e këtyre investimeve, për krijimin akoma më shumë të një klime besueshmërie për investitorët, të një klime akoma më të përshtatshme për bërjen biznes në Shqipëri", tha Prifti. Nga ana tjetër, kreu i Ministrisë së Ekonomisë vuri në dukje se ky memorandum që po nënshkruhej, dhe që hap rrugën për investime, është arritur edhe falë takimeve të mëparshëm që ka zhvilluar Kryeministri Sali Berisha me këtë grup investitorësh. Nga pala e kompanisë zvicerane për firmosjen e Memorandumit ishte i pranishëm zv.drejtori i Përgjithshëm i Rudana Investment Group, Hamy Salemi. Ai vlerësoi nënshkrimin e Memorandumit, duke detajuar edhe fushat në të cilat kompania është e interesuar të investojë. "Kompania prej gati dy vjetësh është duke ndjekur zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe jemi të bindur që projektet që do të ndërmarrim në Shqipëri do të jenë të suksesshëm", u shpreh përfaqësuesi i kompanisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›