E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Shqipëri 2 herë më shumë fëmijë që nuk dëgjojnë



Rehabilitimi i fëmijëve që nuk dëgjojnë, integrimi i tyre në sistemin arsimor, si dhe përkrahja sociale do të jenë prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit në muajt në vijim. Gjatë një konference mbi paaftësinë në dëgjim te fëmijët, e organizuar nga Ambasada Italiane në kuadër të evenimenteve "Dy popuj, një det, një miqësi", ministri Vasili përcolli apelin se duhet të ketë më shumë profesionistë që merren me këtë kontingjent fëmijësh, ndërkohë që duhet të jetë më i shpeshtë diagnostikimi i hershëm i tyre. "është vendi për të dhënë përfundimisht mesazhe të qarta dhe jo me ekuivoke, që rikthimi për ndjekje dhe pranimi i handikapit janë investim për ta luftuar dhe për të fituar mbi handikapin. E kundërta është dështim dhe jetë e vështirë e ardhme e fëmijëve të tyre", tha Vasili. Ambasadori italian në vendin tonë, Saba D'Elia, u shpreh se Qeveria italiane do të mbështesë me projekte këtë kategori fëmijësh, projekte që do të ofrojnë ndihmë sociale. Kështu në institutin për fëmijët që nuk dëgjojnë në Tiranë, janë pajisur falas me proteza dëgjimore 128 fëmijë, e ofruar kjo nga mjekë italianë. Në Shqipëri çdo 1 000 të lindur, 2 janë hipoakuzikë(nuk dëgjojnë) dhe kjo incidencë është 2 herë më e lartë se mesatarja evropiane. Nga sa bën me dije Ministria e Shëndetësisë prej këtij konstatimi, lindi edhe përgatitja e këtij projekti në bashkëpunim me strukturat mësimdhënëse dhe shkencore shqiptare. Në këtë projekt përfshihen dhe bashkëpunojnë ngushtësisht disa entitete shqiptare dhe italiane: institucione akademike dhe shërbime shëndetësore si Universiteti i Padovës, ai i Modenës dhe ai i Tiranës me disa departamente, katër maternitetet ku kryhet screening-u, Instituti për fëmijët me paaftësi dëgjimore, Qendra kombëtare e mirërritjes dhe zhvillimit të fëmijëve, profesionistë të ndryshëm nga të dy vendet, vullnetarë. Veprimtaritë e screening-ut për 18 muaj rresht u zhvilluan në katër maternitete: dy në Tiranë, një në Fier dhe një në Shkodër. Drejtorët ose shefat e shërbimit të neonatologjisë në maternite përcaktuan infermierët, të cilat më pas u trajnuan nga specialistët italianë në teori dhe praktikë mbi rëndësinë dhe protokollin e screening-ut dhe përdorimin e aparaturave diagnostike OAE, të ofruara nga projekti. Më tej u kryen ekzaminimet diagnostike të nivelit të dytë për neonatët e evidentuar si hipoakizike në maternitete, duke përdorur ABR, për potencialet e evokuara. Të sapolindurve të diagnostikuar me shurdhëri, ju morën masat për protezimin e mëpasshëm. Kjo është edhe hallka e fundit e një zinxhiri të tërë ekzaminimesh. Protezimi bëhet jo më herët se 8-10 muaj pas lindjes se foshnjës. Deri më sot janë marrë masat tek 8 fëmijë. Gjashtë fëmijët e parë u protezuan në fillim të këtij viti. Kjo është hera e parë që në Shqipëri protezohen falas fëmijë kaq të vegjël në një institucion publik si QKMZHF në kombinat. Po në këtë institut, ekspertët italianë audiologë dhe "Të gjithë ne kemi një objektiv të vetëm: luftën kundër shurdhërisë dhe integrimin social të fëmijëve që nuk dëgjojnë. Vendi ynë është dalluar gjithmonë për mundësitë e tij të mëdha, edhe në sektorë si shëndetësia, por ka ende nevojë për mjetet dhe për formimin e nevojshëm tekniko- profesional për të arritur në nivelet evropiane. Në këtë po na ndihmon edhe Italia. Ngjarje të tilla që parashikojnë një program ndërhyrjesh tepër të kualifikuara dhe multidisiplinare, përfaqësojnë një nga treguesit e kësaj ndihme", theksoi Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›