Prishtina në mbrëmjen vendimtare të Kosovës për Botërorin 2026

PRISHTINË, 31 mars/ATSH/ Rrugët dhe sheshet e kryeqytetit Prishtinë janë mbushur me tifozë që valëvitin flamuj shtetërorë dhe kombëtarë në natën kur Kosova do të përballet me Turqinë në një ndeshje finale për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Në qytet shihet edhe një prani e tifozëve turq. Dardanët e presin Turqinë në stadiumin “Fadil Vokrri” sonte në orën 20:45 dhe fituesi do të shkojë në Botërorin e kësaj vere në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Një kafene në Prishtinë vendosi një njoftim në hyrje, përmes të cilit i fton turqit të pinë kafe falas. Njoftimi në anglisht dhe turqisht, thotë: “Sot rival, por gjithmonë MIQ! Kafe dhe çaj falas për të gjithë tifozët turq. Ju paguat në vitin 1999, sot nuk paguani”.
Flamuj të Kosovës dhe një flamur amerikan janë vendosur në stadiumin “Fadil Vokrri” teksa tifozët fillojnë të shkojnë në stadum për ndeshjen vendimtare të Kosovës kundër Turqisë për kualifikim në Botëror.
13 mijë veta pritet të jenë të pranishëm sonte në ndeshjen Kosovë-Turqi. Turqit janë ankuar për numrin e vogël të biletave që u janë dhënë.
Kryeministri Albin Kurti, një orë para fillimit të ndeshjes Kosovë-Turqi shkroi: Gjithçka e jona është sonte në Stadiumin “Fadil Vokrri”. Drejt Fitores, drejt Botërorit, drejt realizimit të ëndrrës”. Postimin e shoqëroi me një foto të tij bashkë me kombëtaren e futbollit.
Kosova nuk ka qenë kurrë më afër kualifikimit në një garë të madhe në historinë e vet, dhe fitorja kundër Sllovakisë në gjysmëfinale të plajofit, javën e kaluar, e ka bërë vendin të besojë se ëndrra e Botërorit në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, është e arritshme. /REL/