GREQI – Zjarret në Kretë detyrojnë largimin e turistëve dhe banorëve

KRETË, 3 korrik /ATSH-ANSA/ – Zjarre të mëdha kanë shpërthyer në Kretë që nga pasditja e djeshme.
”Zjarri i dhunshëm në Lasithi, në skajin lindor të ishullit, i ka detyruar zjarrfikësit të evakuojnë qindra banorë dhe turistë në zonën e Lasithi, Agia Fotia dhe Galinit”, shkruan ”Kathimerini”.
“Erërat që arrijnë 9 gradë Beaufort krijojnë vazhdimisht njolla dhe zjarre të reja duke e vështirësuar punën e zjarrfikësve”, theksoi policia.
Sipas presidentit të Shoqatës së Hoteleve të Ierapetrës dhe Kretës Juglindore, Giorgos Tzarakis, “rreth 5 000 persona janë evakuuar, kryesisht turistë të huaj”.
”Qindra turistë kaluan natën në fushën e mbuluar sportive të Ierapetrës”, raporton ERT.
”Flakët dogjën gjatë gjithë natës toka bujqësore dhe pyjore dhe kanë arritur gjithashtu në disa shtëpi dhe serra”, sipas zëvendësguvernatorit të rajonit të Lasithisë, Yannis Androulakis.
Ka raportime për prona të djegura, por numri nuk dihet ende.
Giorgos Tsapakos, zëvendësguvernator i Mbrojtjes Civile të Kretës, tha se ”disa banorë me probleme të vogla respiratore janë transferuar në qendrat shëndetësore”.
Tsapakos tha gjithashtu se “kanë filluar operacionet e shuarjes nga ajri” dhe se është ”optimist se situata do të përmirësohet në orët në vijim”./ /os/