E Diel, 1 Nëntor 2026

“ProCredit” marrëveshje me BERZH, synohet mbështetja për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme

Në vijim të një bashkëpunimi të gjatë, Banka “ProCredit Albania” është sërish partnere e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, këtë herë me një marrëveshje që synon mbështetjen e sipërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme.

“Duke ofruar financime të synuara, asistencë teknike dhe stimuj për bizneset që të adoptojnë praktika të qëndrueshme, ky program ndihmon ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të modernizohen në përputhje me standardet e BE-së dhe të forcojnë konkurrencën e tyre. Është një iniciativë praktike dhe largpamëse, e cila lidh hendekun midis ambicies dhe mundësive. ProCredit Bank Albania është e nderuar të jetë banka e parë në vend që është partnere me BERZH-in në kuadër të këtij programi. Bashkëpunimi ynë me BERZH-in, duke përfshirë programet e mëparshme si Programi i Mbështetjes së Konkurrencës, ka treguar se si zgjidhjet financiare të përshtatura dhe udhëzimet e ekspertëve mund t’i fuqizojnë bizneset të rriten dhe të inovojnë. Ky partneritet i ri në kuadër të Programit të Reboot të SME-ve përforcon angazhimin tonë të përbashkët ndaj qëndrueshmërisë ekonomike të Shqipërisë”, tha drejtori ekzekutiv i “ProCredit Albania”, Mirsad Haliti.

 “Ky program nuk mund të vinte në një kohë më të mirë për Shqipërinë, në kohën kur Shqipëria po ecën me hapa të shpejtë drejt BE. Edhe sektori privat do të duhet të integrohet brenda pak vitesh. Vjen edhe në kohën kur ne do të prezantojmë strategjinë tonë të radhës për Shqipërinë për 5 vitet e ardhshme, që mes të tjerash përfshin edhe përgatitjen e sektorit privat për tregun evropian. Për këtë është edhe ky program, për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, tha drejtoresha e BERZH për Shqipërinë, Ekaterina Solovova.

Gjatë aktivitetit lançues të programit të firmosur në nëntor të vitit të shkuar, Ina Bunguri nga “Novatex” tregoi përfitimet që biznesi që ajo përfaqëson ka pasur nga programet mbështetëse të BERZH, në adresim të sfidave që sipërmarrjet kanë. Bashkëpunimi i BERZH për “ProCredit Albania” parashikon një fond prej 6 milionë eurosh që do të jepen në formën e grantit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që kanë një projekt “rindezjeje”, në përshtatje me ndryshimet dhe dinamikat e tregut./Vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›