Procesi i rienergjizimit, Klosi: Mirëpritëm 34 mijë anëtarë të rinj

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, në fjalën e tij në Kongresin Zgjedhor bëri me dije rezultatet e procesit të rienergjizimit të kësaj partie. Klosi tha se janë anëtarësuar 34 mijë anëtarë të rinj, duke e çuar numrin e anëtarësimit në PS në rreth 100 mijë.
“Do vazhdojmë të ecim me reformën e rienergjizimit. Arritjet e kësaj platforme: në fazën e parë përfshihet një vlerësim i gjendjes aktuale të çdo organizate socialiste. Anëtarët e Asamblesë Kombëtare iu nënshtruan një trajnimi dhe krijuam një platformë raportimi detyra.ps.al që do jetë platforma që do na shoqërojë në të gjitha proceset e tjera, drejt zgjedhjeve. Përpjekjet nxorën në pah të dhëna shqetësuese, u identifikuan 570 organizata me më pak se 4 anëtar, 3417 organizata me më pak se 3 shoqe, ku statuti ynë kërkon që të ishte mbi këtë numër. 3891 organizata me më pak se 3 anëtarë të rinj në moshën 30 vjeç. Duke pasur një panoramë të qartë të situatës, kaluam në fazën e dytë duke u fokusuar në korrigjimin. Çdo organizatë socialiste mori si detyrë të rekrutonte të paktën 4 anëtarë të rinj, duke siguruar që 2 të ishin shoqe dhe një në moshën nga 18 deri në 30 vjeç.
Rezultatet e fazës së dytë ishin të jashtëzakonshme, mirëpritëm 34 mijë anëtarë të ri duke e çuar anëtarësimin aktiv mbi 100 mijë. Mbi 12 mijë janë të rijnë dhe mbi 15 mijë shoqe. Kjo fazë na lejoi të pastronim bazën e të dhënave nga anëtarësimet fiktive. Në fazën e tretë u përqendruam në procesin e zgjedhjeve për postin e kryetarëve dhe bashkëkryetarëve brenda çdo organizate socialiste, për të siguruar që strukturat tona të mbeten dinamike. Pas kësaj faze, kaluam në fazën e katërt që përbënte zgjedhjen e delegatëve të kongresit që u realizuan sipas parimit një anëtar një votë”, u shpreh Klosi.
/rtsh.al/