E Diel, 1 Nëntor 2026

Procesioni i Epitafit në Tiranë, besimtarët ortodoksë përkujtojnë të Premten e Madhe

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Besimtarët ortodoksë në Tiranë kanë përkujtuar sot të Premten e Madhe, duke marrë pjesë në procesionin e Epitafit të shenjtë, një nga momentet më të rëndësishme të Javës së Madhe për besimtarët e krishterë ortodoksë.

Riti tradicional i procesionit, i zhvilluar në vigjilje të Pashkës, u drejtua nga kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joani.

Ceremonia nisi në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, ku besimtarët ndezën qirinj dhe u bashkuan në lutje, duke përkujtuar me përkushtim ngjarjet e Pasionit të Krishtit.

Më pas, procesioni i Epitafit u zhvillua në rrugët kryesore të kryeqytetit, ku besimtarët, klerikët dhe përfaqësues të komunitetit ortodoks ecën në lutje dhe përulësi, duke mbajtur simbolikën e Epitafit të shenjtë.

Pas kalimit në rrugët e Tiranës, procesioni u rikthye sërish në ambientet e Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, ku vijuan lutjet dhe ceremonitë përkatëse të kësaj dite të shenjtë.

Kjo ngjarje përbën një nga kulmet e përgatitjeve shpirtërore të besimtarëve ortodoksë për festën e Pashkës, e cila shënon ringjalljen e Krishtit dhe një moment të rëndësishëm në kalendarin liturgjik.

1 nga 42

/r.e/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›