Proda: “Enigma”, rast pozitiv për rritjen e besimit te Policia e Shtetit

TIRANË, 24 maj /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, iu dërgoi sot një mesazh falënderues strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë së Durrësit dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, për finalizimin e operacionit “Enigma”.
Sipas Prodës “organizimi dhe finalizimi me sukses i një operacioni me shkallë të lartë rrezikshmërie për kapjen e disa personave në kërkim për krime kundër personit dhe në fushën e narkotikëve, të cilët qarkullonin me armë zjarri, me fishekë në fole, gati për qitje, dhe përballja me këtë rrezik me vendosmëri dhe profesionalizëm, është tregues i nivelit të lartë të përgatitjes dhe përkushtimit tuaj”.
“Ju shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin tim më të lartë për kurajën e treguar gjatë zhvillimit të operacionit të koduar “Enigma”, operacion me impakt të lartë te qytetarët dhe një rast pozitiv për rritjen akoma më shumë të besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit”, theksoi Proda.
Proda shtoi se mbështet dhe inkurajon “të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit që të vijojnë me përkushtim çdo veprim që synon parandalimin dhe goditjen e krimit, në të gjithë territorin e vendit. Jemi së bashku në betejat e përditshme për ndërtimin e një shoqërie më të sigurt për të gjithë”.
/a.f/