Prodhim pa mbetje kimike, më shumë aplikime nga fermerët për mbrojtjen biologjike

Puna kërkimore dhe shkencore e zhvilluar në parcelat eksperimentale të Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Lushnjë është ndjekur nga afër nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla. Ministri u njoh me rezultatet e arritura në kultivimin e disa kultivarëve të veçantë perimorë, të cilët po testohen në kushtet e bujqësisë shqiptare.
Gjatë vizitës u demonstruan edhe rezultatet e përdorimit të mbrojtjes biologjike në zhvillimin e bimëve.
Në kuadër të Skemës Kombëtare të Mbështetjes për këtë vit, 70 për qind e kostos së mbrojtjes biologjike subvencionohet nga shteti, duke lehtësuar fermerët në adoptimin e këtyre metodave moderne të kultivimit. Sipas ministrit Andis Salla, kërkesa në rritje për produkte bujqësore të pastra dhe pa mbetje kimikatesh, veçanërisht për tregjet e eksportit drejt Bashkimit Evropian, ka shtuar ndjeshëm interesin e fermerëve për përdorimin e mbrojtjes biologjike gjatë këtij viti.
“Kemi një interes të shtuar ndaj mbrojtjes biologjike. Prandaj ne kemi rritur tashmë me 70% të mbulimit dhe presim dhe ftojmë të gjithë fermerët që të aplikojnë për mbrojtjes biologjike dhe të gjitha skemat dhe gjithë masën e që ne kemi vënë në dispozicion për të aplikuar në mënyrë që të përfitojnë nga skema jonë kombëtare”, tha ministri Salla.
Ministri tha se numri i aplikimeve në 12 skemat mbështetëse të bujqësisë është rritur krahasuar me vitet e mëparshme, duke reflektuar interesin në rritje të fermerëve për të përfituar nga programet financuese të qeverisë.
/rtsh.al/