E Martë, 3 Nëntor 2026

Prodhuesit e energjisë së rinovueshme kërkojnë ndryshime në kontratën me furnizuesin e tregut të lirë

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Prodhuesit e energjisë së rinovueshme, përfshirë hidrocentralet me kapacitet deri në 15 MW, kanë kërkuar ndryshime në kontratën me furnizuesit e tregut të lirë (FTL).

Këto kërkesa lidhen me përmirësimin e komunikimit dhe uljen e disbalancave fizike gjatë funksionimit të sistemeve energjetike.

Në komentet mbi draftin e fundit të kontratës, Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA) thekson se disa aspekte të tjera duhet të përfshihen, përveç asaj që ka të bëjë me përmirësimin e komunikimit.

Së pari, AREA ka kërkuar që kontrata të parashikojë dërgimin e informacionit mbi prodhimin orar të energjisë (në të ardhmen 15 minuta), për të mundësuar krijimin e një database të saktë nga prodhuesit, e cila do të ndihmojë në parashikimin e prodhimit dhe identifikimin e ndërprerjeve në rrjet në kohë reale.

AREA thekson se kontrata do të konsiderohet e drejtë për palët dhe plotësisht funksionale vetëm pas certifikimit me anë të informimit elektronik nga ana e operatorëve të rrjetit të të gjitha ndërprerjeve në rrjet, duke përfshirë orën, kohëzgjatjen dhe kufizimet e energjisë të prodhuar gjatë operimit normal të centraleve.

Këto informacione do të dërgohen nga operatorët e rrjetit përkatës në D+1, për t’u mundësuar prodhuesve dhe Furnizuesve të Tregut të Lirë të ndajnë disbalancat dhe të disbursohen për energjinë e humbur.

Sipas shoqatës, ndërprerjet në rrjet nuk duhet të konsiderohen disbalanca, dhe kjo duhet të rregullohet nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) për të siguruar disbursimin e duhur të prodhuesve për energjinë e humbur gjatë periudhave të ndërprerjeve të rrjetit.

Në fund, AREA kërkon fillimin e procesit për ndryshimin e rregullave të tregut të balancimit, në përputhje me standardet bashkëkohore të propozuara, dhe është e gatshme të diskutojë të gjitha propozimet në një seancë dëgjimore me palët përkatëse. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›