E Martë, 3 Nëntor 2026

Program financimi italo-shqiptar për rritjen dhe konkurrueshmërinë e SME-ve

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, në bashkëpunim me njësinë e menaxhimit të Programit Italo-Shqiptar për Zhvillimin e SME-ve, organizoi një sesion informues për përfaqësuesit e bizneseve.

Ky program i financimit, i cili ka një fond total prej 30 milionë eurosh, ofron mundësi reale për të përfituar kredi me kushte të lehtësuara për SME-të.

Në aktivitet ishte e pranishme edhe zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blerta Rama, e cila theksoi rolin kyç të bizneseve në procesin integrues dhe ftoi sipërmarrësit të shfrytëzojnë këtë mundësi mbështetjeje.

Edhe kryetari i DHTIT-së, Nikolin Jaka, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të bizneseve në këtë iniciativë, e cila është një hap strategjik për integrimin në Bashkimin Europian.

Drejtori i programit, Gavril Lasku, bëri të ditur se ky program do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e teknologjisë dhe konkurrueshmërisë së bizneseve.

Rreth 30 biznese, anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, morën pjesë në këtë aktivitet dhe u njohën me kriteret, kushtet dhe hapat për aplikim.

SME-të (Bizneset e Vogla dhe të Mesme) kanë një rol kyç në zhvillimin dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë. Ato përbëjnë shtyllën kurrizore të sektorit privat dhe kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë kombëtare

Të dhënat e fundit të INSTAT që i referohen vitit 2023 tregojnë se, SME-të përbënin 99,9% të bizneseve aktive në Shqipëri dhe punësonin 82,5% të forcës punëtore. Ato realizuan 81,3% të xhiros totale të ekonomisë dhe kontribuan me 73,1% të investimeve dhe 78,2% të vlerës së shtuar bruto.

1 nga 5

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›