Zhvillimi i parqeve eko-industriale, Gonxhja: Adresohet dekarbonimi i industrisë në vend

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) si dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për forcimin e kuadrit të Shqipërisë për zhvillimin e parqeve eko-industriale.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi përfaqëson një hap kyç në zhvillimin e politikave dhe kuadrit rregullator të nevojshëm për të mundësuar transformimin e qëndrueshëm të zonave industriale në Shqipëri, në përputhje me standardet mjedisore të BE-së dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë (MEKI), Blendi Gonxhja, ambasadori i BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato, si dhe Menaxheri i Këshillimit për Shtetet dhe Ekonomitë, Evropa, IFC, Javier Suarez.
Në fjalën e tij, ministri Gonxhja bëri të ditur se së bashku me IFC, dhe me mbështetjen e Bashkimit Europian përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), synohet të arrihen rezultate kritike për përmirësimin e kuadrit rregullator, rritjen e kapaciteteve institucionale, si dhe nxitjen e përfshirjes aktive të sektorit privat në përdorimin e teknologjive të gjelbra”, deklaroi Gonxhja.
Gonxhja theksoi se marrëveshja i shërben angazhimit të qeverisë ndaj një të ardhmeje industriale, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për Shqipërinë, për të adresuar dhe mbështetur në mënyrë shumë më të qëndrueshme dekarbonimin e industrisë në vend, edhe pse jo e zhvilluar.
“Është një hap domethënës përpara në rrugëtimin e Shqipërisë drejt zhvillimit industrial të qëndrueshëm dhe modernizimit ekonomik. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi me Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC) nuk është thjesht një akt formal, por një angazhim i përbashkët për një të ardhme ku qëndrueshmëria mjedisore dhe rritja ekonomike bashkëjetojnë në harmoni”, deklaroi ai.
Mos harrojmë, tha ai, se një vit më parë u licencuan dy zona të lira parqe ekonomike “TEDA Tirana” dhe ai i “DURANA-s” në Xhafzotaj.
Ministri po ashtu informoi se parqe të tjera janë në proces licencimi me zhvillues privat. Projekti në fazën fillestare parashikon një buxhet prej 600 mijë eurosh.
MEKI-IFC, marrëveshje për zhvillimin e eko-parqeve, Foto: Florian Abazaj 1 nga 11/a.f/