E Martë, 3 Nëntor 2026

Programi ALBAdapt, sistem hidrometeorologjik të harmonizuar me praktikat më të mira ndërkombëtare

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Shqipëria shënon një moment të rëndësishëm në përgatitjet për t’i bërë ballë sfidave të ndryshimeve klimatike.

Mbledhja e parë e Komitetit Drejtues të programit ALBAdapt – i mbështetur nga Qeveria Shqiptare, Fondi i Gjelbër për Klimën, si dhe qeveritë e Gjermanisë dhe Zvicrës mori vendime të rëndësishme që hapin rrugën për fillimin nga puna për shërbime klimatike moderne dhe rritjen e aftësisë së vendit për t’u përshtatur dhe rezistuar ndaj këtyre ndryshimeve.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në një postim në rrjetet sociale bëri të ditur se me vendimet e marra në këtë mbledhje, hidhen bazat për një sistem hidrometeorologjik modern dhe të harmonizuar me praktikat më të mira ndërkombëtare, i bazuar në një vizion të bashkëhartuar me institutionet dhe organizatat partnere.

“Në muajt në vijim do të punohet për hartimin e një ligji të ri për hidrometeorologjinë, ristrukturimin institucional, përmirësimin e rrjetit të monitorimit të të dhënave hidrometeorologjike dhe digjitalizimin e të dhënave të 30 viteteve të fundit; nisjen e procesit për konceptimin dhe ngritjen e Kuadrit Kombëtar për Shërbimet Klimatike (NFCS) në bashkëpunim të ngushtë me institucionet, organizatat partnere dhe aktorë të tjerë interesi si dhe fillimi i punës drejt ndërtimit të një sistemi të paralajmërimit të hershëm të rreziqeve natyrore – përmes vlerësimit të boshllëqeve ligjore, kapaciteteve institucionale dhe njerëzore, në koordinim me aktorët kombëtarë”, theksoi MTM.

Gjithashtu do të angazhohen bashkitë në qarqet Vlorë dhe Durrës për të vlerësuar nevojat, hartuar dokumente lokale të reduktimit të rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, si dhe për të rritur ndërgjegjësimin publik për komunitete më të sigurta dhe rezistente ndaj ndryshimeve klimatike.

MTM bën të ditur se do të hartohen 13 plane lokale të veprimit dhe përshtatjes në disa bashki nga Lezha dhe Dibra, në Sarandë dhe Konispol, sipas nevojave specificike të çdo zone.

1 nga 4

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›