Proda: Anëtarësimi i Kosovës në SEPCA, domosdoshmëri për sigurinë rajonale

TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Asambleja e SEPCA-s 2025 mbylli punimet të cilat u zhvilluan sot në qytetin e Beratit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në cilësinë e Presidentit të SEPCA-s, drejtoi punimet e Asamblesë Rajonale të Drejtuesve të Policive të Europës Juglindore.
Në fjalën përmbyllëse, Proda theksoi se asnjë justifikim dhe asnjë barrierë nuk duhet të pengojë bashkëpunimin në luftën kundër krimeve globale.
“Kemi një mision fisnik dhe të vështirë, por jo të pamundur: të luftojmë krimin dhe të garantojmë rend e siguri për qytetarët tanë”, tha Proda.
Proda deklaroi se anëtarësimi i Policisë së Kosovës është domosdoshmëri për sigurinë rajonale.
“Bashkëpunimi i hapur dhe i sinqertë ndërmjet policive dhe agjencive ligjzbatuese është mesazhi më i fortë kundër krimit. Përderisa krimi nuk njeh kufij apo ngjyrë, as ne nuk duhet të veprojmë me emocione apo ngjyrime. Ligji është bibla jonë. Qytetarët janë thesari ynë”, u shpreh Proda.
“Le ta thellojmë bashkëpunimin për sundimin e ligjit dhe për të mirën e qytetarëve të vendeve tona. SEPCA-s i mungon një anëtare e domosdoshme, Policia e Kosovës. Shpresoj që, me mirëkuptimin dhe mbështetjen e të gjithë pjesëmarrësve, ajo të bëhet sa më shpejt anëtare e plotë dhe jo vetëm në statusin e ftuarit”, tha Proda.
/m.q/j.p/