E Diel, 1 Nëntor 2026

Programi “Siguria dhe Hetimi” në Akademinë e Sigurisë, 60 kuota për vitin e ri akademik

TIRANË, 6 korrik /ATSH/ Është hapur faza e aplikimeve për konkurrim për ndjekjen e programit të studimit “Siguria dhe Hetimi”, cikli i parë “Bachelor”, në Akademinë e Sigurisë, për vitin akademik 2026-2027.

Programi synon plotësimin e nevojave për burime njerëzore në rolin e parë drejtues në strukturat e Policisë së Shtetit, përmes një procesi konkurrimi të drejtë, të paanshëm dhe transparent, mbi bazën e meritës dhe shanseve të barabarta.

Sipas njoftimit, këtë vit janë parashikuar 60 kuota për shtetasit që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë brenda ose jashtë vendit.

Aplikimet do të bëhen nëpërmjet portalit “U-Albania” në periudhën 27 korrik – 1 gusht 2026, duke zgjedhur programin “Siguria dhe Hetimi”.

Procesi i përzgjedhjes përfshin disa faza, duke nisur me vlerësimin administrativ, testimin fizik, intervistën me gojë dhe testimin psikologjik, si dhe kontrollin mjekësor dhe verifikimin e besueshmërisë.

Faza e testimeve do të zhvillohet nga data 5 deri më 19 gusht 2026, ndërsa lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve do të publikohet më 22 gusht 2026 në portalin “U-Albania”, duke përdorur si identifikues vetëm ID-në e maturës, në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Pas shpalljes së rezultateve, kandidatët do të kenë të drejtë ankimi në datat 24–25 gusht, ndërsa lista përfundimtare e fituesve do të publikohet më 26 gusht 2026.

Regjistrimi i kandidatëve fitues do të vijojë nga data 26 gusht deri më 8 shtator 2026.

Gjatë procesit të vlerësimit, nota mesatare e shkollës së mesme përbën 50% të rezultatit përfundimtar, testimi fizik 30%, ndërsa intervista me gojë 20%. Testi psikologjik dhe kontrolli shëndetësor kanë vlerësim kalues/jo kalues.

Aplikantët që shpallen fitues do të nënshkruajnë kontratë dhe do të trajtohen sipas legjislacionit në fuqi, duke u angazhuar të shërbejnë në strukturat e Policisë së Shtetit për të paktën tre vite pas përfundimit të studimeve.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›