E Hënë, 2 Nëntor 2026

Programi ekonomik i qeverisë “Rama 4”, Spaho: Orientohet drejt BE, rritja e pagave të shoqërohet me rritje të fuqisë blerëse

Rritja e mirëqenies përmes pagave dhe pensioneve më të larta, përshpejtimi i aktivitetit ekonomik, të ardhura për frymë që arrijnë në 15 mijë euro deri në vitin 2030, ndërsa prodhimi kombëtar do të shkojë në 35 miliardë euro.

Këto janë disa nga objektivat kryesore të planit ekonomik të qeverisë “Rama 4”. Sipas ekonomistit, Mateo Spaho, plani është i fokusuar kryesisht drejt integrimit në Bashkimin Europian.

“Është një objektiv shumë ambicioz, por me dashamirësinë e BE-së, shumica e kapitujve në një mënyrë apo tjetrën do të mbyllen dhe Shqipëria do të përshpejtojë futjen e saj në BE”, thotë eksperti Spaho.

Programi ekonomik parashikon rritjen e pagës minimale në 500 euro deri në vitin 2026, të pagës mesatare kombëtare në 1,000 euro dhe pagës mesatare për punonjësit e sektorit shtetëror në 1,200 euro deri në vitin 2030.

Për Spahon, këto objektiva duhet të lidhen ngushtë me fuqinë blerëse reale të qytetarëve.

“Ti mund të rritesh të ardhurat në lekë, por konvertimi i prodhimit të brendshëm bruto në euro, me një riforcim të euros do ta ulte atë. Ideja është dhe njëherë të shikojmë sa është fuqia blerëse dhe sa është rritja e prodhimit të brendshëm bruto nga një pikëpamje reale ose materiale”, thekson eksperti.

Një tjetër objektiv i rëndësishëm i programit është përmirësimi i mbrojtjes sociale për të moshuarit, me rritjen e pensionit mesatar në 400 euro.

“Gjë që do të thotë që ka sfida, sfida nga pikëpamja e shëndetësisë, sfida nga pikëpamja kush do të qëndrojë me ta dhe sfida sa i përket mbajtjes së sistemit të pensioneve, pra reforma e sistemit të pensioneve është e domosdoshme”, thotë eksperti.

Vitet e ardhshme do të jenë sfiduese për administratën dhe qeverinë shqiptare.

“Gjërat e mira na presin, por siç nënvizova, pak më parë, do të jenë edhe më të vështira për tu arritur”, nënvizon eksperti.

Eksperti thekson se kalimi i shpejtë në dekadën e ardhshme nga një vend me të ardhura të ulta dhe mesatare në një vend me të ardhura të larta do të përbëjë sfidën më të madhe për ekonominë shqiptare. Kjo do të kërkojë ndërtimin e një sistemi emigracioni funksional dhe të kontrolluar, me qëllim sigurimin e burimeve njerëzore të nevojshme.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›