Programi i trajnimit të mësuesve, në Korçë deri tani janë trajnuar mbi 50% e mësuesve

Mbi 50% e mësuesve janë trajnuar deri tani nga stafi i Universitetit “Fan Noli” në Korçë në kuadër të Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve, teksa vijon trajnimi për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies në lëndët Matematikë, Fizikë, Kimi, Biologji, Gjuhë Shqipe dhe Letërsi dhe Arsimi Fillor.
“Në rreth 1700 mësues që janë parashikuar në universitetin e Korçës, më shumë se 50% e tyre e kanë marrë trajnimin. Këto trajnime realisht janë shumë të rëndësishme për mësuesit çka është shprehur dhe nga vet mësuesit pjesëmarrës gjatë këtyre javëve. E veçanta qëndron tek ndërthurja e teknologjisë në procesin e mësimdhënies ky është dhe elementi më i rëndësishëm dhe më interesant për të cilin mësuesit kanë shfaqur interes”, u shpreh Olger Brame, Koordinator Institucional i Trajnimit.
Ky program synon të fuqizojë mësuesit përmes trajnimeve dhe metodave inovative të mësimdhënies.
“Të gjitha këto shërbejnë në përmirësimin tonë”, tha mësuesja e gjuhë letërsisë Miranda Eminaj
Ky program kombëtar i iniciuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit vjen si bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale të Arsimit Para universitar dhe universiteteve publike në vend përmes Qendrave të Formimit të Vazhduar.
/RTSH/