E Martë, 3 Nëntor 2026

Fermerët bllokojnë aksin Berat-Lushnjë: Produktet po i shesim nën kosto. Pikat e grumbullimit po na masakrojnë

Fermerët e Beratit dhe Lushnjës kanë dalë sërish këtë të hënë (13 maj) në protestë pranë urës së Kuçit duke protestuar mbi çmimin e ulët të shitjes së produkteve të tyre. Nën moton “Stop masakrimit të fermerëve” dhe “Stop abuzimit me çmimet”, fermerët kanë hedhur në rrugë në shenjë simbolike domatet dhe sallatorët, ku shtojnë se prodhimet po u kalben pasi pikat e grumbullimit ua blejnë “me çmime qesharake” dhe se nuk del kosto e prodhimit të tyre.

Për disa minuta fermerët bllokuan edhe aksin Berat-Lushnjë, ku kanë pasur edhe përplasje me efektivët e policisë të cilët tentonin të lironin rrugën për qarkullimin e mjeteve.

Për mikrofonin e RTSH, fermerët ankohen se po shkojnë drejt falimentimit dhe sipas tyre kjo po ndodh për shkak të diskriminimit dhe moskontrollit nga shteti të pikave të grumbullimit që marrin produktet e tyre pa fatura TVSH-je e fatura tatimore.

“Po e marrim malin pa faturë TVSH, kjo protestë do vazhdojë, deri në Tiranë do shkojmë”

“Për çmimin e domates po protestojmë, bëhet propagandë në kurrizin tonë”

“Pikat e grumbullimit po bëjnë masakër, ose mbrohen nga kryeministri ose nga deputetët këtu. Ata po tallen me ne dhe konkurrojnë njëra tjetrën kush ul çmimin më shumë, ne nuk na del as çmimi i prodhimit. Duam faturë nga pikat e grumbullimit”, thanë disa nga fermerët në protestë.

Fermerët shprehen se kjo gjendje e rënduar po i detyron ata t’i hedhin prodhimet e tyre kanaleve, pasi po u kalben ngaqë nuk po shitet.

Kryetari i Sindikatës së Fermerëve të Bashkuar, Armelind Meta tha se “ ne do t’i vazhdojmë protestat tona deri në zgjidhjen e kësaj situata të rënduar pasi jemi pa asnjë mbrojtje nga shteti dhe jemi të falimentuar”.

Protestat do të vazhdojnë edhe në Tiranë nëse zëri i tyre nuk dëgjohet, thonë fermerët, ndërsa kërkojnë nga Ministrisë së Bujqësisë dhe kryeministri t’i japin zgjidhje kësaj situate.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›