Programi i vetëpunësimit 2026, mbështetje deri në 1 milion lekë për çdo plan biznesi

Në dy javët e para nga hapja e thirrjes, dhjetëra punëkërkues të papunë në qarkun e Shkodrës kanë aplikuar me projektet e tyre. Edhe për këtë vit, mbështetja financiare arrin deri në 1 milion lekë për çdo plan biznesi të miratuar, fond ky i dyfishuar që prej vitit 2025.
“Interesi është i lartë, siç shihet edhe nga paraqitjet në zyrat tona dhe aplikimet online. Specialistët e zyrave tona po i ndjekin rastet një nga një dhe po ndihmojnë në plotësimin e dokumentacionit përkatës. Profilet janë nga më të ndryshmet, në shërbime, tregti, sallone bukurie, bare dhe servise”, u shpreh Julian Jana, drejtor, AKPA Shkodër.
Një prej përfitueseve të vitit të kaluar, e cila tashmë drejton biznesin e saj në fushën e organizimit të eventeve, shprehet se ky program është një mundësi reale për t’u përfshirë në treg dhe për të qenë konkurruese.
“Biznesi u hap në dhjetor të vitit 2025 dhe, për momentin, mund të them që jam në të njëjtin nivel me konkurrentët e mi. Unë personalisht, në momentin që mora vesh se ishin hapur aplikimet, lajmërova menjëherë një pjesë të mirë të shoqërisë, sidomos nënat e reja”, tha Aurelda Dizdari.
Gjatë pesë viteve të fundit, që prej zbatimit të programit të vetëpunësimit në Shkodër, kanë përfituar 159 punëkërkues, shumë prej të cilëve kanë arritur të konsolidojnë aktivitetin e tyre në treg. Në shkallë vendi, për vitin 2026 pritet të përfitojnë 200 punëkërkues. Autoritetet ftojnë të interesuarit të aplikojnë brenda afatit deri më datën 4 qershor, duke e konsideruar këtë program një mundësi konkrete për të kthyer idetë në sipërmarrje dhe për të krijuar vende të reja pune.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/