Programi ndërkufitar Shqipëri-Kosovë 2021–2027, mbështetje nga IPA III

TIRANË, 29 janar /ATSH/ Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 1, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri-Kosovë, 2021-2027″.
Relatori i projektligjit Tërmet Peçi, tha se, ndryshimi parashikon angazhimin financiar të Bashkimit Evropian në kuadër të IPA III, duke siguruar zbatimin e projekteve në fushat e mbrojtjes së mjedisit, turizmit dhe trashëgimisë kulturore.
Sipas tij, programi përfshin forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar në zonat kufitare shqiptare (Kukës, Has, Tropojë, Lezhë, Mirditë, Kurbin) dhe kosovare (Prizren, Dragash, Rahovec, Suharekë, Malishevë, Mamushë, Pejë, Deçan, Gjakovë, Istog, Klinë, Junik) dhe synon nxitjen e zhvillimit social, ekonomik dhe bashkëpunimit rajonal.
“Programi i bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri-Kosovë 2021-2027 financohet nga një grant i Bashkimit Evropian nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA), me një buxhet total prej 9,7 milionë euro përfshirë bashkëfinancimin prej 15% të vlerës për të dyja vendet”, tha Peçi.
Peçi theksoi se, ratifikimi i marrëveshjes ndryshuese do të mundësojë shkëmbimin e përvojave dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta midis Shqipërisë dhe Kosovës, sipas parimeve të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III).
/e.xh/j.p/r.e/