Rishikimi i buxhetit, Malaj: 10 milionë USD për startup-in e inteligjencës artificiale të Mira Muratit

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi sot Aktin Normativ “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për buxhetin e vitit 2025””, i cili parashikon rritjen me 1 miliard lekë të të ardhurave dhe shpenzimeve.
Akti Normativ u prezantua nga ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili tha se, “rishikimi i parë për buxhetin 2025 që u miratua nga qeveria në prill 2005, reflekton në buxhetin e shtetit vetëm një ndryshim në zërin e të ardhurave dhe shpenzimeve, që siguron alokimin pranë MEKI-t të një fondi prej 1 miliard lekësh ose 10 milionë usd”.
Malaj bëri të ditur se efekti financiar i këtij fondi, mbulohet nga të ardhurat e fituara nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe konfiskuara.
“Ky fond i akordohet Ministrisë së Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) në cilësinë e aksionerit të vetëm të Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH) sh.a, që ka përcjellë kërkesën për financimin e pjesëmarrjes së Qeverisë shqiptare në projektin e investimit startup “Thinking Machine Lab”, në një vlerë jo më pak se 10 milionë USD (1 miliardë lek), pagesë e cila duhej bërë në prill 2025, me qëllim vënien në zbatim të projektit dhe përthithjen e përfitimeve të nevojshme” u shpreh ministri, duke iu referuar startup-it të shqiptares Mira Murati.
Sipas tij, përmes këtij investime priten përfitime financiare dhe ekonomike por dhe të një promovimi të një historie suksesi që vjen nga një sipërmarrëse shqiptare me kontribut në fushën e IA që mund të shërbej si model tek sipërmarrësit e rinj.
“Ky startup është një nga projektet më inovative në nivel global në fushën e Al, me potencial të madh për avancim teknologjik dhe të ardhura ekonomike për vendin, duke ofruar përfitime strategjike për Shqipërinë në tërësi, ku përveç ndikimit ekonomik të drejtpërdrejtë, ky partneritet do të rrisë pozicionin e Shqipërisë në komunitetin global teknologjik, duke treguar angazhimin e vendit për të mbështetur teknologjitë inovative dhe hulumtimin e avancuar. Kjo do të tërheqë investitorë ndërkombëtarë dhe do të pozicionojë vendin tonë si një qendër për kërkimin dhe zhvillimin e AI, një bashkëpunim që do të shërbejë si një mundësi marketingu global për vendin tonë”, deklaroi ministri.
Malaj theksoi se, “Thinking Machine Lab”, po mbledh fonde nga investitorë të ndryshëm që synon shumën e 2 miliardë dollarëve, ndërsa deri tani janë mbledhur 1,7 miliardë usd dhe pritet në të ardhmen e mesme që të arrijë në 50 miliardë usd, ku padyshim përfitime do të ketë edhe qeveria shqiptar me daljen e “Thinking Machine Lab”, në bursat ndërkombëtare.
“Thinking Machine Lab”, operon në fushën e IA që integron testet, pamjet audio dhe etj. /j.p/