Progres-raporti i KE, Tabaku: Nevojë për ndryshime të thella në funksionimin e institucioneve - ATSH -

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, reagoi sot lidhur me raportin vjetor të progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke theksuar se vendi ka nevojë për ndryshime të thella në mënyrën se si funksionojnë institucionet dhe shteti.
Tabaku theksoi se raporti i progresit “tregon disa të vërteta të trishta për Shqipërinë, tregoi se përtej retorikës miratimi i ligjeve nuk mjafton, se parlamenti ka hapësirë gjithnjë e më të kufizuar pa pasur mundësi për të debatuar qoftë për reformat e integrimit qoftë për kontrollin e qeverisë”.
Ajo nënvizon se Shqipëria ka nevojë për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, dialog të mirëfilltë politik, institucione të forta dhe barazi para ligjit. Ajo kërkoi gjithashtu zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe më shumë mbikëqyrje ndaj ekzekutivit.
“Një vend demokratik kërkon zbatimin e Vendimeve të GJK, mbikëqyrje të ekzekutivit dhe këtë fjalën Evropë që e përdorin sa herë e kur i duhet ta ketë dhe orientim në çdo vendim që merret, në çdo tender që jepet pa garë, në çdo ligj që pengon e kufizon konkurencën”, shkruan ajo.
Tabaku e cilësoi qeverinë aktuale si pengesë për integrimin europian.
“Prandaj merreni si të doni po sot njerëzit po kërkojnë më shumë Evropë, Komisioni Europian sot po kërkon më shumë Europë, e kjo thirrje duhet të jetë një këmbanë alarmi për ti bërë gjërat ndryshe. Kish gjithë kohën e mundësinë kjo qeveri për tu sjellë ndryshe, kish gjithë kohën e mundësinë ta rigjente vullnetin politik të humbur rrugës. Sot është koha për një qeveri tjetër, një Qeveri të Integrimit! Kjo qartësisht është kthyer në pengesë”, shkruan ajo.
/m.q/j.p/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.