E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

RUSI - Kremlini minimizon ndikimin e humbjes së republikanëve në zgjedhjet amerikane mbi negociatat për Ukrainën - ATSH -

MOSKË, 4 nëntor /ATSH-DPA/ – Kremlini minimizoi sot ndikimin që mund të ketë humbja e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA mbi negociatat për Ukrainën, duke deklaruar se pret që presidenti Donald Trump të vazhdojë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.

“Presidenti Trump vazhdon të jetë në detyrë”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një intervistë për gazetarin Alexander Yunashev, i afërt me Kremlinin.

Ai shtoi se Moska pret që presidenti Trump të vazhdojë përpjekjet e tij për arritjen e paqes.

Peskov iu referua përparimit në përpjekjet diplomatike, duke përmendur bisedimet trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, të planifikuara për javën e ardhshme.

Ai përmendi gjithashtu një operacion humanitar në qytetin Oleshky, të pushtuar nga Rusia dhe të ndodhur pranë vijës së frontit, gjatë të cilit Rusia dhe Ukraina falënderuan në disa raste zonjën e parë amerikane, Melania Trump, për ndihmën në ndërmjetësimin e një armëpushimi.

I pyetur nëse Kongresi i ri amerikan mund të pengojë përpjekjet diplomatike të Trumpit, Peskov u përgjigj se kjo është një çështje e brendshme e Shteteve të Bashkuara.

Ai kishte mbajtur të njëjtin qëndrim edhe përpara zgjedhjeve të mesmandatit.

Administrata Trump është përpjekur të luajë rolin e ndërmjetësuesit në luftën e gjithanshme të Rusisë kundër Ukrainës, e cila vijon prej më shumë se katër vjetësh e gjysmë.

Megjithatë, presidenti amerikan ende nuk ka arritur një përparim vendimtar në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit dhe së fundmi është afruar sërish me Moskën.

Demokratët, të cilët fituan kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit në zgjedhjet e djeshme, kanë mbështetur përgjithësisht një ndihmë më të madhe për Ukrainën dhe rritjen e presionit ndaj Rusisë. /Ad.Ab./

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›