Projektbuxheti 2027, Pirdeni kërkon 27 punonjës shtesë dhe më shumë fonde për Ministrinë e Administratës Publike - ATSH -
TIRANË, 5 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Ministrja për Administratën Publike, Adea Pirdeni kërkoi sot më shumë fonde në projektbuxhetin e vitit 2027 për të shtuar numrin e punonjësve në këtë ministri.
E ftuar në komisionin e Ligjeve për projektbuxhetin 2027, Pirdeni u ndal te nevojat buxhetore të Ministrisë për Administratën Publike, si një ministri me rëndësi jetike për vijimësinë e reformës së administratës publike.
“Në diskutim me Ministrinë e Financave është miratuar një mbështetje buxhetore për 125 veta staf të brendshëm të ministrisë. Duke gjykuar se ky është një numër i pamjaftueshëm për të kryer funksionet e një ministrie, pasi nga 125 të miratuar 97 janë aktualisht pjesë e këtyre strukturave që përthithen nga ministria, kërkojmë që këtij numri t’i shtojmë 27 persona për të arritur në 152 punonjës”, shtoi Pirdeni.
Sipas saj, reforma e administratës publike ka natyrë horizontale, pra ka shtrirje në të gjitha institucionet e administratës publike, ndaj duhen vlerësuar edhe sfidat që sjell para faza në të cilën ndodhen negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Pirdeni solli në vëmendje se për herë të parë administrata publike përfaqësohet në nivelin e një ministrie të dedikuar me përgjegjësinë për të udhëhequr politikat e reformimit, modernizimit dhe zhvillimit të saj.
Krijimi i kësaj ministrie, sipas saj, “nuk shënon nisjen e një procesi të ri reformimi, por përfaqëson një fazë të re të konsolidimit institucional të reformave të ndërmarra deri më sot”.
Pirdeni theksoi se në fokus të punës së Ministrisë do të jetë përmirësimi i standardeve të cilësisë dhe aksesit në shërbimet publike.
Po ashtu, objekt i punës së Ministrisë për Administratën Publike mbetet parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit. Pirdeni theksoi se kjo përgjegjësi merr një rëndësi të posaçme në fazën aktuale të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“Raporti i fundit i Komisionit Europian njeh konsiderueshëm arritjet e deritanishme në reformën e administratës publike duke e vlerësuar Shqipërinë si një vend me nivel të moderuar përgatitjeje në këtë fushë”, u shpreh Pirdeni.
Në këtë kontekst, sipas saj, duhet të lexohet dhe projektbuxheti 2027, një instrument financiar që mbështet vijimësinë e reformave.
Pirdeni theksoi se për vitin 2027 kërkesa buxhetore e Ministrisë së Administratës Publike është 595 milionë lekë e ndarë në dy komponentë kryesorë, ku përfshihet aparati i Ministrisë si dhe Shkolla e Administratës Publike.
Për sa i përket investimeve të planifikuara, Pirdeni theksoi se janë parashikuar 5 milionë lekë për zhvillimin e sistemeve të administratës publike.
“Jemi në një fazë shumë të avancuar të digjitalizimit të të gjitha procedurave që lidhen me menaxhimin e burimeve njerëzore në administratën publike si për sa i përket regjistrit qendror të personelit ashtu dhe përsa i përket platformës së ndërveprimit në lidhje me funksionet dhe punët e përditshme që institucionet kryejnë”, shtoi ajo.
Gjithashtu, Pirdeni theksoi se është parashikuar një fond prej 7,5 milionë lekësh për zbatimin e vlerësimit të gjithë drejtuesve të përgjithshëm, me fokus të veçantë në ato institucione të cilat kanë shtrirje dhe në territor.
“Në kuadër të kësaj reforme përveç shkallës së meritës, synimi ynë është që të ndërtojmë një sistem ku zhvillimi profesional, vlerësimi i performancës dhe përparimi në karrierë të mbështeten gjithnjë e më shumë në kompetenca dhe standarde të matshme”, shtoi Pirdeni.
/r.e/a.f/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
