E Premte, 6 Nëntor 2026

BRUKSEL - Von der Leyen: 4,36 miliardë euro ndihmë financiare nga BE-ja për Ukrainën - ATSH -

BRUKSEL, 5 nëntor /ATSH-DPA/- Ukraina ka marrë 4,36 miliardë euro të tjera ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian, në kuadër të paketës së huasë mbështetëse prej 90 miliardë eurosh për periudhën 2026-2027, njoftoi sot Komisioni Evropian.

“Ndërsa Rusia vijon sulmet e pandërprera, Ukraina po përgatitet të hyjë në dimrin e pestë të luftës. Përpjekjet për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën vazhdojnë, ashtu si edhe mbështetja e palëkundur e BE-së”, deklaroi sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Nga shuma e disbursuar, 3,7 miliardë euro do të përdoren për mbështetjen e buxhetit të Ukrainës, ndërsa 658 milionë euro do të shërbejnë për financimin e blerjeve të pajisjeve ushtarake”, bëri të ditur Komisioni Evropian.

Pas disbursimit të ndihmës së sotme, Ukrainës i mbeten në dispozicion edhe 20,9 miliardë euro nga kjo hua mbështetëse për këtë vit.

Për vitin e ardhshëm janë parashikuar edhe 45 miliardë euro të tjera.

Pavarësisht angazhimeve financiare të BE-së, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u tha liderëve evropianë në tetor, se vendit i nevojiteshin edhe 70 miliardë euro gjatë vitit 2027 për mbrojtjen, armatimet dhe forcimin e qëndrueshmërisë së tij përballë luftës.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz deklaroi më herët se liderët e BE-së, do të diskutojnë mundësinë e dhënies së ndihmës shtesë për Kievin në takimet e ardhshme.

Samiti i radhës i liderëve evropianë është planifikuar të mbahet javën e ardhshme, në Dublin. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›