E Premte, 6 Nëntor 2026

Projektbuxheti 2027, Spahiu: Forcim i kujdesit shëndetësor parësor, financim për herë të parë i PET-CT në sistemin publik - ATSH -

TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, prezantoi sot në Komisionin për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale projektbuxhetin e vitit 2027

Spahiu tha se buxheti për vitin 2027 është rreth 4.7 miliardë lekë më i lartë se ai i vitit 2026 dhe përfaqëson 12.1% të Buxhetit të Shtetit dhe rreth 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Një ndër prioritetet e projektbuxhetit, sipas Spahiut është forcimi i kujdesit shëndetësor parësor. “Për vitin 2027 kemi parashikuar financimin e 7.51 milionë vizitave në kujdesin shëndetësor parësor, me një fond prej 1.6 miliardë lekësh”, tha ajo.

Në mbështetje të pacientëve me diabet tha Spahiu janë parashikuar 174 milionë lekë për rimbursimin e fishave të glicemisë, ndërsa 150 milionë lekë do të financojnë paketën e stomës për rreth 770 pacientë.

Për periudhën 2027–2029 synohet rindërtimi dhe rehabilitimi i 100 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në vend.

“Objektivi ynë është që mjeku i familjes të jetë gjithnjë e më shumë profesionisti që diagnostikon, trajton dhe ndjek pacientin, duke reduktuar referimet e panevojshme drejt spitaleve. Kemi një përvojë shumë të mirë në Tiranë dhe një qytet tjetër që funksion vetëm më mjekë familje, e cila ofron shërbim nga 0 deri 99 vjeç”, vijoi ajo.

Spahiu tha se “fondi për rimbursimin e barnave në vitin 2027 parashikohet të arrijë në 14.5 miliardë lekë, nga 13.5 miliardë lekë që ishte në vitin 2026, me një rritje prej 7.4%”.

“Rritja synon zgjerimin e aksesit në barna, me vëmendje të veçantë ndaj barnave onkologjike dhe terapive të reja. Gjatë vitit 2026, lista e barnave të rimbursueshme është zgjeruar me 26 terapi të reja, ndërsa aktualisht përfshin 1 356 barna dhe mbulon rreth 400 mijë pacientë”, tha Spahiu.

Një nga zhvillimet e rëndësishme për vitin 2027 sipas ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale është financimi i Institutit Kombëtar Onkologjik me rreth 2 miliardë lekë, me synimin për trajtimin e rreth 6 200 pacientëve.

“Parashikohet gjithashtu krijimi dhe konsolidimi i Rrjetit Onkologjik Kombëtar Shqiptar, me QSUT-në si qendër referimi, për të përmirësuar organizimin e shërbimeve dhe aksesin e pacientëve në trajtimin onkologjik në të gjithë vendin”, shtoi ajo.

“Një tjetër risi është financimi për herë të parë i shërbimit PET-CT në sistemin publik, pranë QSUT-së, me 250 milionë lekë për rreth 2 500 pacientë”, theksoi Spahiu.

Projektbuxheti, sipas Spahiut parashikon vijimin e investimeve në infrastrukturën spitalore dhe pajisjet mjekësore.

“Në QSUT, gjatë vitit 2027 përfundon rikonstruksioni i shërbimit të Djegie-Plastikës, me vlerë totale rreth 580.2 milionë lekë, nga të cilat 274.9 milionë lekë janë parashikuar për vitin e ardhshëm”, theksoi ajo.

Spahiu u ndal edhe te modernizimi i infrastrukturës digjitale.

“Për vitin 2027 janë parashikuar 1.15 miliardë lekë për këtë qëllim.Objektivi afatmesëm është krijimi gradual i dosjes elektronike shëndetësore për çdo qytetar, përmes integrimit të sistemeve dhe zhvillimit të mëtejshëm të recetës elektronike, referimit elektronik dhe sistemeve të informacionit spitalor”, tha ajo.

Ministrja u ndal edhe te përdorimi i inteligjencës artificiale në shëndetësi, veçanërisht në radiologji dhe diagnostikimin imazherik, si një instrument mbështetës për profesionistët shëndetësorë, me synim rritjen e shpejtësisë dhe saktësisë në identifikimin e patologjive.

Sipas saj, digjitalizimi do të ndihmojë në monitorimin e aktivitetit spitalor, analizën e kostove, kontrollin e përdorimit të burimeve dhe zhvillimin e financimit të lidhur me performancën.

/e.i/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›