E Martë, 3 Nëntor 2026

Projekti me një grup investitorësh, Rama: Territor brenda në det në Durrës

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u kërkoi sot turoperatorëve turistikë të rrisin cilësinë e shërbimit, si çelësi për një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit.

Gjatë një takimi në Durrës me turoperatorë, hotelierë dhe profesionistë të turizmit, Rama tha se është koha të investojnë në cilësinë e të gjithë zinxhirit të shërbimeve, ndërsa i inkurajoi ata të rrisin pagat e personelit.

Ai tha po ashtu se do të ndërmerret një projekt mjaft ambicioz për rritjen e vlerës së plazhit.

“Kemi një projekt shumë ambicioz në anën tjetër që urojmë që ta çojmë përpara me një grup shumë të madh investitorësh që për herë të parë do të provojnë krijimin e një territori brenda në det. Të gjitha këto rrisin vlerën e këtij plazhi dhe gjithë investimeve që keni bërë ju dhe të çdo investimi tjetër që bëhet”, tha Rama.

Më tej, Rama informoi se qeveria ka nisur zbatimin e një projekti për zgjerimin e hapësirës ranore me 100 metra.

“Puna ka filluar dhe vitin e ardhshëm do të mund të marrim nga deti 100 metra në të gjithë vijën, që do të thotë që nuk do të kemi më as kërcënimin e detit për shkak të gjithë marrëzive që u bënë në menaxhimin e bregdetit”, deklaroi ai.

Ajo që duhet synuar, vijoi ai, nuk është rritja e numrave, por numrit të turistëve që konsumojnë më shumë, në mënyrë që të mbeten më shumë para këtu.

Më tej, Rama theksoi se në drejtim të zhvillimit dhe standardizimit të sektorit janë bërë përmirësime të mëdha ligjore.

“Nuk kishte ligj për turizmin, ishte një xhungël, nuk kishte asnjë rregullore për plazhet, asnjë lloj sistemi ndërveprimi mes qeverisë dhe sektorit privat. Yjet viheshin duke shkuar të marangozi. Kemi trashëguar kaos”, u shpreh ai.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›