E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama me të rinjtë në Durrës: Duam 1 milion vota për Shqipërinë 2030, anëtare e BE-së

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherazi kryetar i PS, Edi Rama zhvilloi sot pasdite një takim me të rinjtë në Durrës.

Drejtuesja Politike e PS në Durrës, Emiriana Sako çeli takimin, duke prezantuar kandidatët e PS në qytetin bregdetar. Më tej fjalën e mori kryetari i PS, Edi Rama.

“Të rinjtë janë pjesa më vitale e qarkut dhe tek të cilët kemi shumë arsye të besojmë dhe mendojmë se do të jenë aktivë më shumë se çdo herë tjetër në këto zgjedhje.

Këto zgjedhje janë me shumë gjasë zgjedhjet që do të vendosin se ku do të jetë Shqipëria në katër vitet e ardhshme”, tha Rama, duke nënvizuar se objektivi është anëtarësimi në BE.

“Gjërat kanë ardhur në këtë mënyrë dhe kanë ardhur sepse janë përputhur në të njëjtën kohë dëshira dhe fati ynë evropian dhe dëshira dhe fati i BE, që ndryshe nga deri pak kohë më parë sot jo vetëm e thotë, siç e ka thënë gjithnjë, që e ardhmja e Ballkanit është në BE, por dhe e kërkon me këmbëngulje që të mbyllim negociatat brenda vitit 2027 dhe më pas të shkojmë në parlamentet e vendeve anëtare dhe në harkun e dy viteve të përfundojnë dhe që Shqipëria e vitit 2030 të jetë vend anëtar i BE”, tha Rama.

Më tej kryesocialisti Rama tha se “shumë njerëz që nuk e dinë si funksion BE dhe që dëgjojnë debate që bëhen në vende të BE-së, shumë njerëz që kanë një informacion shumë të kufizuar ose që u besojnë burime jo të sigurta thonë po për çfarë na duhet BE, çfarë do përfitojë Shqipëria nga BE, vendet e tjera që janë në BE janë të pakënaqura, duan të dalin nga BE. Të gjitha këto në të vërtetë janë shumë periferike si opinione sepse opinioni i përgjithshëm dhe bindja e përgjithshme sot më shumë se sa ndonjëherë më parë edhe për shkak të kërcënimit të sigurisë së popujve të BE-së në kushtet e gjithë turbullirave që ka sot Evropa dhe bota është që BE jo vetëm na duhet, por na duhet më shumë se asnjëherë tjetër”.

Kryeministri Rama tha se më 11 maj PS kërkon 1 milion vota.

“Llogarinë me historinë do ta bëjnë shqiptarët në 11 maj si duhet, dhe prandaj, ne kemi të gjitha arsyet që të kërkojmë një votë përtej mbështetësve natyrale dhe tradicionale të Partisë Socialiste dhe përtej simpatizantëve tanë. Prandaj, ne duhet të synojmë, jo 800 mijë, po 1 milionë vota në 11 maj, duke përfshirë edhe emigrantët, natyrisht.  Ai duhet të jetë limiti, ku ne duhet të synojmë dhe patjetër që ne duhet të dalim nga 11 maji, me më shumë se 900 mijë vota. Patjetër, duhet të bëjmë çmos”, tha Rama.

“Natyrisht që, është shumë e lehtë ta thuash, por është shumë e vështirë ta bësh. Ama, këtu në Durrës, në gjithë qarkun, ne i kemi eksperiencat dhe i kemi arsyet për të besuar, që beteja për të marrë mandatin e 9-të, jo vetëm që nuk është e pamundur, por është e vetmja betejë e arsyeshme që ne mund të bëjmë si Parti Socialiste. Është e vetmja betejë me kuptim që ne mund të bëjmë. Ne duhet të synojmë të marrim mandatin e 9-të për Partinë Socialiste këtu në Durrës”, shtoi Rama.

“Dhe unë kam shumë besim që ne sot që flasim jemi më afër se asnjëherë mandatit 9-të. Por duhet shumë punë, duhet shumë punë, duhet shumë punë dhe mbi të gjitha duhet që të gjithë ju, vajzat dhe djemtë e Durrësit, e qarkut, të bëni çmos që sa më shumë bashkëmoshatarët tuaj të vijnë të votojnë në 11 maj. Të vijnë të votojnë dhe të investojnë për pasaportën e tyre. Që kur ta marrin atë pasaportë në dorë, të thonë që edhe unë e kam këtu kontributin për këtë pasaportë dhe mos iu vij turp që kur ishte momenti për të investuar për atë pasaportë, në vend të investonin, o ia futën gjumit, o i përgjumshëm shkuan edhe u hodhën në kënetë”, theksoi Rama.

“Por, nëse Shqipëria do të do të hyjë në Bashkimin Europian, të gjithë duhet ta dinë që Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Europian vetëm si rezultat i votës në 11 maj për Partinë Socialiste dhe për kandidatët tanë”, përfundoi Rama.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›