E Martë, 3 Nëntor 2026

Projektligji për performancën energjetike të ndërtesave, Muçaj: Përmirësim i cilësisë së jetës për qytetarët

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi sot projektligjin “Për performancën energjetike të ndërtesave” që synon rritjen e eficiencës energjetike dhe reduktimin e emetimeve të gazeve serrë deri në vitin 2050.

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, e pranishme në komision, tha se ky projektligj vendos standarde dhe kritere të reja për ndërtimet, duke promovuar ndërtesa pa emetime dhe duke kontribuar në përmbushjen e objektivave klimatikë e energjetikë të vendit.

Projektligji zbatohet për të gjitha ndërtesat e reja dhe ato që do të rinovohen, nga faza e projektimit deri në lejen e shfrytëzimit.

Muçaj veçoi se masat e reja ligjore ndihmojnë në uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit, rrisin kursimet në konsumin e energjisë për qytetarët dhe bizneset, përmirësojnë cilësinë e jetesës dhe nxisin investimet në teknologji e materiale ndërtimi më të avancuara.

Muçaj theksoi gjithashtu se projektligji është në përputhje me objektivat kombëtarë dhe angazhimet e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Sipas të dhënave zyrtare të përfshira në relacionin shoqërues të projektligjit, për të arritur objektivin kombëtar të reduktimit të emetimeve deri në vitin 2050 duhet të rinovohen rreth 745 mijë ndërtesa banimi në Shqipëri, që përfaqësojnë një sipërfaqe totale prej rreth 60 milionë metra katrorë. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›