E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektvendimi i ri i menaxhimit të mbetjeve inerte, ministria e Mjedisit zbardh rregullat e reja për venddepozitimet e përkohshme

Ministria e Mjedisit ka zbardhur relacionin shpjegues që shoqëron projektvendimin e ri “Për miratimin e rregullave, kërkesave dhe procedurave për venddepozitimet e përkohshme të mbetjeve inerte”. Nisma vjen si një instrument emergjent dhe tranzitor për të disiplinuar industrinë e ndërtimit dhe për të parandaluar ndotjen mjedisore, në kushtet kur infrastruktura rajonale e landfilleve nuk është ende plotësisht funksionale.

Ky projektakt, i nënshkruar nga Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, mbështetet në ligjin nr. 57/2025 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Ndonëse nuk ishte parashikuar në Programin e Përgjithshëm Analitik të Projektakteve për vitin 2026, miratimi i tij vlerësohet i domosdoshëm për të plotësuar një boshllëk rregullator dhe për të ndalur depozitimin e pakontrolluar të dherave dhe materialeve të prishjes së ndërtimeve.

Strategjia e unifikuar dhe menaxhimi përmes operatorëve

Projektvendimi propozon një qasje të re koordinimi që nuk zëvendëson rolin e pushtetit vendor, por synon të standardizojë praktikat mjedisore në të gjithë territorin. Sipas relacionit, administrimi i këtyre shesheve tranzitore do t’u lihet subjekteve private të autorizuara:

“operimi dhe administrimi i venddepozitimeve të përkohshme realizohet nga subjekte të autorizuara (operatorë), në përputhje me kërkesat ligjore dhe procedurat përkatëse të licencimit dhe lejeve mjedisore. Përfshirja e operatorëve përbën element thelbësor për garantimin e funksionimit efektiv dhe të standardizuar të sistemit”

Për të monitoruar volumin e gjeneruar nga sektori i ndërtimit, akti krijon një sistem të detyrueshëm gjurmueshmërie në kohë reale, duke lehtësuar barrën e bashkive. Operatorët do të jenë gjithashtu të detyruar të vendosin një garanci financiare dhe sigurim për të mbuluar rreziqet operative dhe kostot e rehabilitimit mjedisor, duke bërë që zbatimi i aktit të ketë zero kosto shtesë për buxhetin e shtetit.

Kuotat e rikuperimit drejt standardeve të Bashkimit Evropian

Një nga risitë më të rëndësishme të projektvendimit është integrimi i parimeve të ekonomisë qarkulluese, duke vendosur detyrime të matshme për kthimin e mbetjeve në burim ekonomik. Dokumenti vendos kufij të prerë për ndarjen e materialeve:

Kuota minimale e rikuperimit, 45% e mbetjeve duhet të rikuperohet çdo 6 muaj (përmes ripërdorimit, riciklimit ose procesit backfilling).

Kufiri maksimal i asgjësimit, vetëm 55% e mbetjeve mund të depozitohet përfundimisht.

Relacioni sqaron se neni 11 i Direktivës 2008/98/EC të Bashkimit Evropian kërkon që të paktën 70% e mbetjeve të ndërtimit të rikuperohen, por nënvizon se në situatën aktuale të Shqipërisë, kjo kuotë është konceptuar si një prag realist kalimtar:

“Kuota 45% është plotësisht në përputhje me acquis dhe përfaqëson një nivel tranzitor realist, si dhe krijon bazën për arritjen graduale të objektivit 70%. Kjo nismë operacionalizon këto parime në nivel kombëtar dhe i kthen në detyrime të matshme dhe të monitorueshme.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›